Edhe pse shefi i Policisë së Kosovës tha se kur jeni duke ecur vetëm në rrugë, mund të mos e vendosni maskën, ministri i Shëndetësisë flet ndryshe.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, po japin deklarata të kundërta me njëri-tjetrin për bartjen e maskës në rrugë.

Zemaj ka thënë për Gazetën Express se për këtë çështje vlen udhëzuesi që akoma është në fuqi. Sipas këtij udhëzuesi, maskat duhet të vendosen edhe kur jemi duke ecur vetëm në rrugë.

Kjo është theksuar në udhëzuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, për përdorimin e maskave.

“Udhëzuesi i cili është në fuqi “ Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”, ka deklaruar Zemaj.

E shefi i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, të mërkurën në një emision televiziv ka thënë se nuk është e nevojshme mbajtja e maskës gjatë kohës kur jemi duke ecur të vetëm në rrugë.

Qalaj tha se maska duhet të bartet në rastet kur jeni me dikë tjetër pasi që konsiderohet grup.

“Në instruksionet e fundit tashmë edhe kur je duke ecur vetëm në rrugë nuk ka nevojë ta kesh makën, e as në veturë, por në momentin që je me një tjetër konsiderohet grup dhe duhet ta kesh maskën”, ka deklaruar Qalaj.

Krejt kjo ngatërresë rreth përdorimit të maskës në rrugë është bërë pas publikimit të udhëzuesit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në udhëzuesin e parë që u dërgua nga MSH-ja, shkruante se vendosja e maskës gjatë kohës kur jemi të vetëm në rrugë nuk është e nevojshme.