Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka apeluar te qytetarët llapjanë që të mos ndizen goma dhe mbeturina tjera me rastin e 1 Majit, njofton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, kreu i Podujevës ka thënë se inspektorët komunalë do t’i gjobitin të gjithë ata që praktikojnë një gjë të tillë.

Postimi i tij:

1 Maji të festohet pa e dëmtuar mjedisin

Meqenëse jemi në prag të 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, mbështesim plotësisht kremtimin e kësaj feste, por jo në mënyrat dhe format se si është festuar më parë, duke bërë ndezjen e gomave, plastikave dhe kimikaleve të tjera të cilat e dëmtojnë rëndë mjedisin.

Kjo formë e kremtimit përveçse shumë e dëmshme për ambientin është e dëmshme edhe për shëndetin e popullatës, andaj i lus qytetarët që të shmangen nga kjo formë e kremtimit të kësaj feste, e cila nuk përkon me traditën dhe kulturën tonë.

Komuna e Podujevës përmes inspektorëve të ambientit do t’i ndëshkojë me gjoba të gjithë ata që e ndotin ambientin, duke bërë ndezjen e zjarreve. Veprimet e tilla të dëmshme e të shëmtuara nuk kanë vend në komunën tonë.