Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, deklaroi se Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të situatës së krijuar në Ukrainë. Ai tha se në rast të nevojës, Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për tensionet në kufirin e Ukrainës që mund të përfundojnë me luftë, derisa shtoi edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
“Për shkak të historisë, duhet të jemi solidarë me popullin e Ukrainës që po e mbron pavarësinë e vendit të vet. Duhet ndoshta edhe ta miratojmë një rezolutë, e dyta, Ukraina është fronti i parë, e Ballkani i dyti. Ne jemi vija e parë në Ballkan. Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe së treti, nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, Qeviera duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, deklaroi Hoxhaj.






