Sa herë që përmendet lufta e fundit në Kosovë, në memorien e atyre që e përjetuan vjen edhe beteja e lavdishme e Koshares.

Më 9 prill të 1999-tës, UÇK-ja në njërën prej betejave më të ashpra gjatë konfliktit në Kosovë, kishte thyer kufirin me Shqipërinë, zhvillim ky që njëkohësisht përbën një kthesë të rëndësishme në luftën për çlirim.

Në një rrëfim ekskluziv për lajmi.net, për betejën e Koshares ka folur Beqir Lami njëri ndër snajperistët më të spikatur të kësaj beteje.

I specializuar në shkollë ushtarake për përdorimin e snajperëve, për Beqir Lamin nga Dibra e Shqipërisë skenat e dhunës së regjimit serb në Kosovë ishin nxitëse që ai t’i bashkohej luftës.

Si një ushtarak i shkolluar dhe i aftë për luftë, ai kishte stërvitur edhe disa nga ish-ushtarët që tani kanë pozita të larta shtetërore.

Lami ka një histori edhe për Rrustem Berishën, ish-ministrin e Mbrojtjes për të cilin thotë se nuk e përfilli pas luftës.

Arsyeja e një veprimit të tillë, sipas Beqir Lamit ndërlidhet me momentet e rënies së Agim Ramadanit. Ndonëse luftës i ishte bashkuar për qëllimet fisnike të tij, në arenën e luftës fati nuk ishte në anën e tij.

Në ofensivën e forcave serbe, ai u plagos shumë rëndë.

Ndonëse Lami kishte menduar se përfundimi i luftës do të shënonte edhe fundin e një periudhe të vështirë, kjo nuk ndodhi.

Pak vite pas konfliktit të armatosur në Kosovë, Lami kishte shërbyer edhe në TMK, por që nga aty ishte larguar, pasi që plaga e marrë në Koshare ia pamundësonte stërvitjen e ushtarëve.

Disa vite më vonë, Beqir Lami, dikur snajperist në Koshare, do të gjendej në njërën prej periudhave ndoshta më të vështira të jetës së tij.

Pas vdekjes së gruas së tij, dhe disa zhvillimeve jo fort të mira që i ndodhën, ai u strehua nga Resmije Krasniqi në Qendrën Hadër në Prizren, në një gjendje që fotografitë e përshkruajnë më së miri.

Ai thoë se shokët e luftës e harruan, dhe nuk i gjetën zgjidhje që ai të ketë një jetë normale si të gjithë të tjerët

E ndonëse i mllefosur që e harruan shokët e luftës, Lami thotë se për Kosovën do të ishte i gatshëm të luftoj sërish, ani pse ka plagë të rënda në trup.

Beqiri vazhdon jetën në shoqatën Hadër, që strehon personat me probleme në zhvillim mendor.

Shpresa e tij se dikush do ta kujtojë nuk shuhet, teksa çdo ditë sytë e tij drejtohen kah dera e kësaj shoqate, në pritje se dikush nga luftëtarët do të vijë, dhe do t’i ofrojë një zgjidhje