Zyrtari i AAK-së, Gazmend Abrashi, ka përmendur disa nga arsyet që sipas tij taksa ka dhënë efekt në raport me Serbinë.

Abrashi në “Debat Plus” ka thënë se Amerika në dialog është përfshirë për shkak të vendosjes së taksë.

“Amerika nuk ka qenë e përfshirë në dialog. Dialogun e ka drejtuar kryesisht Komisioni Evropian me të cilin nuk është arritur asgjë. Ne me taksën kemi futur në bisedime edhe Amerikën”.

Ai ka thënë se Kosova ka aplikuar reciprocitet me Serbinë edhe në të kaluarën por nuk ka pasur asnjë përfitim.

Abrashi thotë se taksa ishte vendim i drejtë dhe i mençur dhe sipas tij këtë do ta dëshmojë koha.

“Ne kemi mundur ta heqim taksën në këmbim të liberalizimit të vizave, por koha do ta tregojë se kemi bërë një potez shumë të mirë që nuk e kemi larguar”.

Zyrtari i AAK-së thotë se asnjë masë apo veprim nuk ka dhënë efekt sa vendosja taksës në sensibilizimin e qytetarëve për produktet serbe.

Abrashi thotë se po të mos ishte aq e dëmshme taksa, Bërnabiqi nuk do të fliste për taksën në fjalën e parë.