Skuadra nga Podujeva, KF Llapi ka bërë të ditur se ka vazhduar kontratat me tre lojtarë kryesorë të klubit si: Mentor Zhdrella, Bujar Idrizi dhe Valmir Veliun, njofton Llapi.info.

Sipas komunikatës zyrtare të klubit, Zhdrella e Idrizi kanë vazhduar kontratën edhe një vit, kurse Veliu për tri vite.  

“Sot kemi arritur marrëveshje 1 vjeçare me kapitenin Mentor Zhdrella dhe zëvendës-kapitenin Bujar Idrizi. Të dy futbollistët i qëndruan besnik skuadrës edhe për edicionin e ri. Zhdrella ishte ndër futbollistët më të mirë të skuadrës në edicionin që lamë pas duke ndihmuar skuadrën me 5 gola dhe 9 asistime në 24 paraqitje të zhvilluara. Bujar Idrizi i rikuperuar plotësisht nga lëndimi i edicionit të kaluar, zhvilloi 8 paraqitje, kurse do jetë i gatshëm që ta ndihmoj skuadrën në edicionin e ri. Kurse gjatë ditës së sotme, sulmuesi 20 vjeç i krahut të majtë Valmir Veliu është blinduar me kontratë edhe për 3 vitet e ardhshme dhe kësisoj Veliu do jetë pjesë e skuadrës deri në momentin kur arrin ndonjë ofertë serioze e klubeve evropiane. Veliu në 27 paraqitje të edicionit të sa po mbyllur realizoi 4 gola e 5 asistime, kurse presim të ketë formë të mirë dhe të na ndihmoj edhe më tepër në edicionin e ri”, thuhet në njoftim./Llapi.info