I mbrojtur nga trajneri i tij, Jurgen Klopp, futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri nuk është kursyer nga gazeta serbe “Kurir”, vetëm disa orë para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës së Beogradit, shkruan “Le Matin”

Gjatë të hënës, trajneri Jürgen Klopp njoftoi se Xherdan Shaqiri nuk do të udhëtojë në Beograd për të “shmangur peripecitë” gjatë ndeshjes mes Crvena Zvezdës dhe Liverpoolit, të cilën të kuqtë e humben 2-0 në Ligën e Kampionëve. Në fillim të shtatorit, drejtori sportiv i Crvena Zvezdës, Zvezdan Terziç kishte premtuar “një presion të jashtëzakonshëm psikologjik të tifozëve”.

Pas këtij veprimi, shumica e mediave serbe kanë shkruar për trajnerin gjerman me një ton neutral. Nga ana e tjetër, gazeta serbe “Kurir” ka publikuar një histori të habitshme për Shaqirin, vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes.

“Mjekët serbë shpëtuan Shaqirin!”, qëndron titulli i një artikulli nga “Kurir”, e njohur për shkrimet tendencioze gjatë viteve të fundit kundër lojtarëve shqiptarë nga Zvicra dhe e cila gjithashtu kritikoi ashpër arbitrimin pas fitores së Zvicrës kundër Serbisë, kësaj vere në Kupën e Botës (2-1).

Në këtë artikull, “Kurir” pretendon se Xherdan Shaqiri “ka lindur me një deformim në këmbën e djathtë që u shërua në një klinikë për fëmijët në Beograd”.

Media përmend një “zbulim tronditës” dhe zbukuron llogarinë e saj me disa konkluzione të habitshme: “Pra, nëse po të mos ishte mjeku serb, Shaqiri jo vetëm që nuk do të mund të luante futboll, por edhe nuk do të mund të bënte një jetë normale”.

Për të mbështetur këto pretendime, e përditshmja citon një burim të “informuar mirë” se “Shaqiri është dashur të mbathë këpucë të veçanta deri në moshën trevjeçare”.

Fjalët përfundimtare të artikullit japin një ide të ndjenjave të “Kuririt” rreth lojtarit ofensiv të Liverpoolit. “Edhe pse mjekëve serbë ua ka borxh gjithçka, Shaqiri nuk është falënderues dhe shfrytëzon çdo mundësi për të provokuar serbët”./Albinfo.ch/