Vetëm një rekomandim i Qeverisë së Kosovës është zbatuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Deri tani kjo zyrë ka ndalur vetëm faturimin e energjisë elektrike që shpenzojnë qytetarët e katër komunave veriore tek pjesa tjetër e qytetarëve të vendit. Por ende nuk është gjetur një zgjidhje e përhershme për shpenzimet e rrymës në veri.

Ndërsa kompensimet e konsumatorëve për energjinë që e kanë paguar për veriun, ende nuk kanë nisur, raporton KTV.

Drejtori menaxhues në ZRRE, Pertrit Pepaj, ka thënë se për këtë janë duke pritur vendimin final të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Për kompensimin e konsumatorëve derisa nuk e kemi një formë të vendimit të prerë, e kemi të pamundshme të marrim një hap pa e pas vendimin që të ma tregojnë ligjshmërinë e vendimit”, ka thënë Pepaj.

Por, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë thënë se nuk është e nevojshme të pritet vendimi i gjykatës pasi e njëjta është dashur të zbatohet pas vendimit të qeverisë.

Deputetja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, nga AAK, Teuta Haxhiu ka thënë se një e keqe është ndalur por duhet marrë masa për dy rekomandimet e tjera pasi, sipas saj, shpesh rekomandimet e qeverisë mbesin në letër.