Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke patrulluar në oborrin e QKUK-së për të siguruar këtë zonë, pas një kërcënimi për sulme që ka marrë sot Policia e Kosovës.

Në pamjet e siguruara nga Reporteri.net, shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët po e sigurojnë zonën rreth QKUK-së.

Ndryshe përpos Prishtinës, masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle të rrepta për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti, ka thënë për Reporterin se një aksion është duke u zhvilluar në të gjithë Kosovën, pasi një person nga Prshtina kërcënoi me sulme në spitalet e Kosovës.

“Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën”, tha Hoti për Reporterin.

Për detaje të mëtutjeshme, Reporteri ka tentuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, por të njëjtit deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk kanë kthyer përgjigje.