Reprezentuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, ka luajtur ndeshjen e parë si titullar me Baselin. Zhegrova u paraqit 75 minuta në barazimin pa gola që Baseli e luajti të shtunën në shtëpi ndaj Grasshopersit, në xhiron e 29-të të Superligës së Zvicrës.

Për Baselin luajti tërë ndeshjen Albian Ajeti dhe u ndëshkua me të verdhë, ndërsa 71 minuta luajti Taulant Xhaka, shkruan sot “Koha Ditore”. Te Grasshoppersi luajti tërë ndeshjen Mersim Asllani, ndërsa Nedim Bajrami luajti 88 minuta para se të zëvendësohej me Shani Tarashajn. Gjelbrim Taipi luajti nga minuta e 59-të.

Kemal Ademi realizoi golin e vetëm të Xamaxit në fitoren 1:0 ndaj Luzernit. Ai shënoi në minutën e 80-të, 15 minuta pasi u aktivizua në lojë. Për Xamaxin luajti tërë ndeshjen Arbenit Xhemajli, ndërsa Samir Ramizi u aktivizua krejt në fund. Te Luzerni, Idriz Voca luajti 83 minuta, ndërsa Shkëlqim Demhasaj u aktivizua në minutën e 76-të.

Reprezentuesit e Kosovës, Mirlind Kryeziu e Hekuran Kryeziu, luajtën tërë ndeshjen të dielën për Zuerichin në humbjen e pësuar 1:0 në shtëpi ndaj Young Boysit, skuadrës që ka siguruar titullin e kampionit. Toni Domgjoni luajti 90 minuta për Zuerichun para se të zëvendësohej.

Në Austri gol ka shënuar Mërgim Berisha, ndërsa në Kroaci, Arijan Ademi.