Edhe pak ditë bëhen dy muaj prej kur Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur pa asnjë gjurmë. Lidhur me zhdukjen e tij është arrestuar dhe dërguar në para burgim Jeton Vllasaliu, i cili dyshohet për rrëmbimin e Bedriut. Për gjithë këto ditë, familjarët thonë se nuk kanë asnjë informatë, ndërkaq prokuroria dhe policia nuk kanë treguar çka po ndodh me rastin, shkruan Gazeta Express

Mbrëmjen e 8 prillit 38-vjeçari Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur dhe që nga atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Të nesërmen, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, por jo edhe ai. Nga nata kur u zhduk, telefoni i Bedriut po qëndron i mbyllur.

Vëllai i tij, Adnan Rexhepi, ka deklaruar për Express se familja ende nuk ka asnjë informatë çka ka ndodhur me Bedriun.

“Edhe nja 7-8 ditë bëhen dy muaj, por jo ende asgjë s’kemi. Po presim mos po na lajmëron diçka policia por ende asgjë konkrete, hetime, hetime, edhe kurrgjë”, ka deklaruar Adnani.

Ai tha se sipas informatave që ka, Jeton Vllasaliut, i cili ishte arrestuar nën dyshimet se ka rrëmbyer Bedri Rexhepin, i është vazhduar paraburgimit.

“Atij i është vazhduar paraburgimi edhe dy muaj”, ka deklaruar Adnani.

Adnani tha se Prokuroria nuk e ka njoftuar familjen lidhur me zhvillimin e hetimeve për rastine zhdukjes së Bedriut.

“S’na ka lajmëruar prokuroria asgjë. Kemi folë me prokuroren, por s’na ka lajmëruar më asgjë hiç, s’kemi asnjë informatë, as a e kanë intervistuar as asgjë. Për momentin s’kemi prej askujt informata. Po presim.”, ka deklaruar Adnani.

Express ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës më 28 prill dhe më 24 maj, por në asnjërën prej këtyre kërkesave nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit.

Po ashtu, Express të hënën ka pyetur edhe policinë lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, Bedri Rexhepi kishte në pronësi një biznes “rent a car”, në të cilin ishte klient edhe i dyshuari Jeton Vllasaliu.

Familjarët kishin deklaruar për Express se Bedriu kishte pasur një shumë parash me vete, natën kur ishte zhdukur.

“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, pati deklaruar për Express vëllai i Bedriut.

Ndërkaq Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin e datës 22 prill për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Jeton Vllasaliu, pati deklaruar se ekziston dyshimi se Vllasaliu është i implikuar në rrëmbimin e Bedri Rexhepit.

“I pandehuri J.V. është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.R., ashtu që me datë 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari B.R. është zhdukur në rrethana deri me tani të panjohura dhe deri me tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse me datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.