Zhbogar: Kriza aktuale nuk zgjidhet me një takim të vetëm

Zhbogar: Kriza aktuale nuk zgjidhet me një takim të vetëm

Kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka vlerësuar lartë takimin e sotëm të liderëve politikë të Kosovës me presidenten Atifete Jahjaga, por ka shtuar se kriza aktuale nuk zgjidhet me një takim të vetëm.

“BE-ja e përshëndet takimin e sotëm të liderëve të partive politike të Kosovës me presidenten Atifete Jahajga, të cilët u mblodhën së bashku që të gjejnë një zgjidhje për krizën aktuale politike. Zgjidhja për një çështje kaq të ndërlikuar me dallime të mëdha politike nuk mund të bëhet vetëm me një takim të vetëm”, është shprehur Zhbogar, thuhet në një postim në Facebook Bashkimi Evriopian në Kosovë.

Ai gjithashtu ka thënë se, “është e rëndësishme që liderët të vazhdojnë në këtë mënyrë evropiane për zgjidhjen e problemeve, përmes dialogut dhe kompromiseve. S’ka alternativë tjetër përveç dialogut”, transmeton Koha.net.

Sipas tij stabiliteti politik është parakusht që Kosova të fillojë përparimin e saj në të gjitha fushat.

“Stabiliteti politik është parakusht për zhvillimin ekonomik, liberalizimin e vizave, procesin e normalizimit, gjithashtu edhe implementimin e reformave Evropiane, si dhe MSA-së. Inkurajojmë Presidenten dhe liderët politik të vazhdojnë bisedimet deri sa të arrihet një zgjidhje për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Bashkimi Evropian është gati të ndihmojë këtë proces në çdo formë që është e nevojshme”, është shprehur Zhbogar.