Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë për mos nënshkrimin e kontratave për vaksinat kundër virusit Covid-19, si dhe për mungesën e insulinës nëpër institucione shëndetësore. Madje ai e quan të paaftë pushtetin ekzekutiv.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Zemaj tha se mos serioziteti dhe trajtimi në çështje të vaksinimit tregon se Qeveria nuk e ka prioritet vaksinimin e qytetarëve.

“Ka qenë lajm i mirë që ditëve të fundit situata epidemiologjike është më e qetë por akoma virusi është prezent. Fatkeqësisht po shihet një paraqitësi nga ana e qeverisë në pjesën kryesore që e është imunizimi i popullatës dhe mos kontraktimi i vaksinave, ndërprerja e dhënies së vaksinave. Ndërsa raste të vdekjes është më se lajm i gëzueshëm që nuk kemi asnjë qytetarë dhe duhet të bëhet thirrje për kujdes të vazhdueshëm derisa të kemi imunizim të tërësishëm. Çdo ditë e vonesës së vaksinimit ka pasoja vetvetiu edhe nëse kemi ulje të lakores sepse kjo din të lëviz. Mos serioziteti dhe trajtimin në çështje të vaksinimit dhe sidomos pritja nga data 15 prill e nënshkrimit të kontratë për ardhjen e vaksinave atëherë lenë që të dyshojmë që kjo qeveri është e paaftë e mbyllur në vetvete dhe trajtimin e vaksinimit të qytetarëve nuk e ka prioritet”.

Tutje, deputeti nga LDK-ja tha se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i qartësojë raportimet për aferën në furnizimin me insulinë.

“Nga ajo që dëgjojmë ka shumë ankesa sidomos me insulinën tash që shumë qytetarë janë duke u përballur me mungesë të saj po dëgjojmë se është duke ndodhur ndonjë aferë e brendshme e trajtimit të çështjes së marrjes apo furnizimit me insulina. Këtë duhet ta qartësoj ministri se çka po ndodh sepse ka ankesa në vazhdimësi. Pothuajse në çdo qytet të Kosovës tash ka mungesë të insulinës dhe qytetarët duhet ta blejnë e që është goxha e kushtueshme”, tha ai.

Ai tha se pa hartimin e Ligjit të ri në Shëndetësi për transplantim e organeve, qytetarët do të përballen me kërkesa jashtë spitalore.

“Kosova është ndër vendet e pakta që i mungon kjo pjesa legjislative. Ka edhe disa sëmundje të tjera nuk trajtohen në Kosovë dhe këto lidhen edhe në aspektin e përgatitje profesionale por edhe përgatitjes së legjislacionit. Pa rregullimin e kësaj fushe pa ndryshimin e ligjit për shëndetësi dhe hartimin e ligjit të ri për transplantim e organeve atëherë do të jetë mangësi dhe qytetarët do të përballen me kërkesa jashtë spitalore”, shtoi Zemaj.

Ish- ministri i shëndetësisë, Zemaj theksoi se kthimi në normalitet është pretenduar nga Qeveria e kaluar se do të ndodh në fund të qershorit.

“Ne normalitetin e pretenduar e kemi pasur në fund të qershorit domethënë vaksinimin e shumicës së popullatës dhe atëherë pjesa aktive e qytetarisë të kthehet në pjesën normale por në në normalitet mund të kthehet Kosova dhe i gjithë rajoni atëherë kur mund të kemi imunizim të popullatës. Së paku 70 % është ajo norma fillestare që të kthehemi në normalitet që mund të quhet jo i plotë por që jep shpresën që në shpejtësi të kemi eliminim të pandemisë. Po shpresojmë që të ndodhë brenda këtij viti. Buxheti duhet të gjendet sepse jemi në një situatë të pandemike duhet të kemi prioritizim të cilën nuk e kemi parë në programin qeverisës atëherë lind edhe interesimi për mungesë buxhetore”, tha ai për EO.