Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Komunën e Podujevës, ku edhe është njoftuar nga afër me menaxhimin e situatës epidemiologjike në këtë Komunë, raporton Llapi.info.

Gjatë kësaj vizite, Zemaj ka falënderuar autoritetet lokale dhe profesionistët shëndetësorë të kësaj komune për përkushtimin e treguar gjatë kësaj kohe.

“Qëllimi i vizitës tonë është që të shohim për së afërmi edhe menaxhimin e situatës epidemiologjike në Komunën e Podujevës. Vlerësimet janë pozitive për kryetarin, për shtabin emergjent, për stafin profesional shëndetësor, për gjithçka që kanë bërë këtyre ditëve që numrat e infeksionit në Komunën e Podujevës të jenë të vogël dhe të mos jenë me pasoja fatale dhe të menaxhohen në mënyrën më të mirë të mundshme që t’i kthehemi normalitetit dhe zhvillimit të jetës normale edhe në Podujevë edhe në Republikën e Kosovës”, ka thënë Zemaj në një deklaratë për medie.

Zemaj edhe nga Komuna e Podujevës ka apeluar qytetarët që t’i respektojnë masat parandaluese të COVID-19.

“Mesazhi shkon prapë për këtë kohë. Na lejoni që t’i kthehemi normalitetit, t’i kthehemi avancimit të shërbimeve shëndetësore të gjitha këto që po paraqiten dhe u paraqitën edhe nga kryetari dhe nga tjerët, pjesa e profesionistëve shëndetësorë, ta menaxhojmë sa më mirë pandeminë dhe ta largojmë sa më shpejt nga jeta jonë e përditshme. Mbani maskë, mbani distancën, mbani higjienën, respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, respektoni manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19 i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe sa më shpejt neve do të kthehemi në një mirëqenie, zhvillim ekonomik dhe në normalitet të plotë, ashtu siç po pretendojnë edhe vendet tjera, qoftë të rajonit, qoftë në botën perëndimore”, ka thënë Zemaj.

Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se rezultati i për shuarjen e pandemisë s’do të mungojë, në rast se qytetarët i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

“Mund të themi se shtabi komunal e ka kryer në përpikëri detyrën e tyre që rezulton edhe në rezultatet finale, të cilat praktikisht janë në numër minimal krahasuar me tërë territorin e Kosovës. Tashmë, gjysma e pacientëve të cilët kanë qenë të sëmurë me COVID-19 janë shëruar dhe presim këto ditë që gjithnjë e më tepër të shërohen deri në shuarjen e plotë të vatrës epidemiologjike në Komunën e Podujevës”, ka thënë Ramadani.

“Ne po mundohemi që bashkë me komunat dhe shtabet tjera komunale të përcjellim situatën që përcjellin zbatimin e rekomandimeve nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Besojmë që me një kontroll rigoroze të institucioneve në zbatimin e këtyre rekomandimeve në ditët në vijim do të kemi rënie të rasteve, e që varet nga çdokush prej neve, nga çdo qytetar që t’i përmbahet rekomandimeve, t’i përmbahet distancës, të vendosin maska sidomos në ambiente të mbyllura dhe ambiente ku ka shumë njerëz dhe të mbajnë higjienën e tyre personale. Rezultati sigurisht që nuk do të mungojë. Prandaj, i lus qytetarët që të mos rrezikojnë jetën e të tjerëve, sepse çdokush ka të drejtë të jetojë dhe të mbrohet nga sëmundjet ngjitëse, në këtë rast nga COVID-19”, ka thënë Ramadani.

Po ashtu, sot është nënshkruar memorandumi për ndërtimin e një aneksi në Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës. Nënshkrimi është bërë nga drejtori i Qendrës Klinike Universitare (QKUK), Basri Sejdiu dhe nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

Me këtë rast, Rudari ka falënderuar drejtorin për këtë projekt, që siç e ka quajtur ai, është i një rëndësie të madhe për qytetarët llapjanë.

“Sot kanë ardhur në Podujevë, gjegjësisht për të vazhduar një punë që ka filluar para disa vitesh. Fjala është për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për dhënien në shfrytëzim të pronës ku do të ndërtohet pjesa e aneksit të spitalit të përgjithshëm në Podujevë dhe kjo vërtetë është një lajm i mirë për ne si administratë komunale, po ashtu edhe për të gjithë qytetarët”, ka thënë Rudari./Llapi.info