Për Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, situata me COVID-19 është menaxhuar mirë.

Në një replikë Arbër Rexhajt të LVV-së, ai ka thënë se pandemia ka futur në kolaps sistemet më të avansuara anembanë botës, teksa ka vazhduar akuzat ndaj Vetëvendosjes.

“Nuk është imune as Kosova. Por, fatmirësisht situata është menaxhuar mirë, e po tentojmë të vazhdojmë këtë menaxhim. Kur i referohemi situatave që infeksioni i COVID-19 ishte i panjohur. Për këtë arsye edhe ndërmarrja e masave dhe rikthimi në kufizim janë përgjegjësi e IKSHPK-së. Ne i përkrahim plotësisht. COVID-i ju prek edhe ju, është dashur ta keni parasysh me datën 12 qershor. Po ju tregoj çfarë ka bërë koronavirusi vetëm në Prishtinë… Është papërgjegjësi e juaja, që i keni nxjerrë njerëzit nuk i keni mbrojtë, nuk e keni respektu distancën e as masat mbrotjëse”, është përgjigjur Zemaj.

Replika e tij ka ardhur pasi që Rexhaj kishte shprehur shqetësim rreth gjendjes me koronavirus.

“Gjendja me COVID-19 është tejet shqetësuese. Në baza ditore kemi mbi 200 raste në Kosovë dhe si analogji nëse ju kujtohet sa ishte Qeveria Kurti, presidenti Hashim Thaçi së bashku me Hotin, që ishte zëvendëskryeministër i Kurtit, kërkonin gjendje jashtëzakonshme. Pse sot s’po shpallet? Atëherë nuk kishim të vdekur, e sot edhe me dhjetëra”, ka thënë Rexhaj në Kuvend.

Të menaxhueshme e ka quajtur situatën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Jemi duke e menaxhuar situatën, trendi është në rritje, si është në rajon e më gjërë. Ministri dha shifra konkrete. Jemi në proces të riorganizimit të klinikave spitalore, për të krijuar shtretër shtesë, janë krijuar ato, por edhe në spitale rajonale. Po ashtu, e kemi autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë që në përputhje me ligjin të kërkojë nga spitalet private të vëjë në dispozicion shtretër shtesë, nëse është e nevojshme”, ka thënë Hoti.

I pari i Qeverisë po ashtu ka thënë se MSH-në e ka autorizuar që të bëjë angazhimin e gjithë stafit shëndetësor në nivel vendi, që nuk janë të angazhuar në sektorin publik e privat.

“Kemi autorizuar Ministrinë të licencojë institucione private e stafe rajonale, për të kryer testime në përputhje me standardet. Kemi filluar procedurat për vlerë deri në 100 mijë teste virologjike dhe 500 mijë vaksina të gripit sezonal, që mundësojnë krijimin e një imuniteti për vjeshtë. Janë bërë porositë e nevojshme për vaksinë eventuale kundër COVID-19. Kemi filluar procedurat për blerjen e shtatë aparateve për testim, një në Infektive e gjashtë rajonale. Kemi autorizuar vlerën e terapive specifike për COVID-19”, ka thënë ai.