Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit tha se deri më tani nuk dihen shkaqet e vdekjes së pacientëve në Klinikën Infektive të dielën e kaluar.

Zemaj kërkoi nga deputetët të mos paragjykojnë dhe të mos ngrisin dyshime të pabazuara.

“Deri në këtë fazë nuk ka arritur të vërtetojë shkaqet e vërteta ose të përjashtojë gabimet eventuale profesionale shëndetësore. Dhe kjo tash është duke vazhduar edhe në aspektin e hetimit profesional shëndetësor dhe presim raportin final nga Prokuroria e Shtetit. Ju kisha lut shumë që derisa t’i kemi raportet finale mos paragjykoni, mos ngrisni dyshime të pabazuara sepse nuk është në etikën e juaj dhe askujt nuk i bëjnë nder”, tha ai.

Zemaj shtoi se nuk ka pasur vërejtje rreth furnizimit me oksigjen në Klinikën Infektive.

“Më datë 5 korrik unë e kam autorizuar inspektoratin shëndetësor me të marrë lajmin për katër vdekjet në Klinikën Infektive. Kanë dalë në vendngjarje në orën 11 dhe kanë filluar hetimet, investigimin rreth rrethanave, faktorëve që ndikuan në këtë çështje”, tha ai.

“Mjekimi intensiv në Klinikën Infektive furnizohet me oksigjen nga qendra e furnizimit kryesor, sistem qendror ku nga i njëjti sistem furnizohen edhe disa klinika tjera, sallat operative të kirurgjisë, infektivës, emergjencës, dializës, internos, intensivës, etj, në të cilat në bazë të informatave që disponon inspektorati shëndetësor, nuk ka të deklaruara vërejtje rreth furnizimit në cilësi, apo ndaljes së oksigjenit”, shtoi ministri.

Zemaj tha se të gjitha aparaturat dhe stabilimentet kanë qenë në gjendje të rregullt.

“Personeli që punon në depon qendrore të furnizimit me oksigjen e ka evidentuar sasinë e oksigjenit në ora 19:00, me të marrë ndërrimin më datë 4.7.2020 z. Hasan Hoxha, në verë prej 72.3 oksigjen i lëngët ku i njëjti deklaron në fletoren zyrtare se ka bërë kontrollin në ora 19, 20, 21, 23, 1, 3, 5 dhe deri në 7 të mëngjesit. Më datën 5.7.2020 në ora 7 ka bërë dorëzimin me 60.8 oksigjen i lëngët.fakti që në pikat tjera të furnizimit me oksigjen nga njësia qendrore,në klinikat  e QKUK-së nuk ka pasur probleme të deklaruara, inspektorati shëndetësor është fokusuar në Klinikën Infektive ku ka ndodhur incidenti”, tha ai.

Kreu i MSH-së, theksoi se aparaturat e furnizimit me osigjen në mjekimin intensive të Klinikës Infektive janë të pajisur me sensor alarami dhe tregojnë shtypjen e furnizimit me osigjen dhe sinjalizojnë ndryshim-shtypje në të gjitha elementet që janë profesionale dhe evidnecave qoftë edhe nga personeli shëndetësor kujdestar dhe librit të evidencave.

Sipas Zemajt, kualifikimi deri në vrasje është papërgjegjësi totale.

“Është fyerje për familjet e atyre të vdekurve dhe mbi të gjitha tregon pafytyrësinë politike të adresimit të një qasje të tillë”, tha ai në seancë.