Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se negociatat e para për sigurimin e vaksinave Anti-COVID i kanë filluar në qershor të vitit të kaluar, raporton Gazeta Express.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se përpjekjet për sigurimin e vaksinave i kanë intensifikuar muajt e ardhshëm.

“Aplikimin e parë zyrtar për vaksinë ne e kemi pas në fund të qershorit 2020. Ne nuk ishim pjesë as e OBSH e BE’së e nuk ishim afër prodhuesve. Gjatë asaj kohe aleanca COVAX e ka marrë për përgjegjësi që të sigurojë një pjesë të vaksinave falas. Krejt kushtet që sot aplikohen për blerje të vaksinës janë dashur për COVAX. Në vjeshtë ne e kemi vazhduar interesimin. Negociatat dhe dokumentacioni ekziston qysh nga qershori 2020”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka thënë se kanë përdorur edhe mundësi tjera për lobim, ndërsa ka deklaruar se në fund të dhjetorit të vitit 2020 i ishte ofruar komunikim i drejtpërdrejtë për vaksina.

Sipas tij, asnjë shtet i rajonit përveq Serbisë nuk ka pasur kontratë të nënshkruar për vaksina gjatë vitit 2020.

“Ne kemi përdorur edhe mundësi tjera të lobimit. Në fund të dhjetorit na u është ofruar komunikimi i drejtpërdrejtë. Asnjë shtet në rajon përveç Serbisë nuk ka pasur kontratë të nënshkruar në vitin 2020”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka vlerësuar menaxhimin e pandemisë gjatë kohës sa ai ishte ministër i Shëndetësisë, duke thënë se Kosova ka regjistruar më pak viktima se shtetet tjera.