Llapi ka arritur të sigurojë një vend në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në futboll për edicionin 2020/2021.

“Bardhekaltrit” e drejtuar nga trajneri, Tahir Batatina në finale do të kenë përballë Dukagjinin e Klinës dhe në rast të triumfit në atë ballafaqim sigurojnë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, dëshira kjo e kahmotshme e tyre.

Për rëndësinë e kësaj ndeshje, presidenti i klubit, Beqir Batatina nuk do ta kursejë kuletën e tij, duke zbuluar premion në rast se trofeu i Kupës shkon në Podujevë.

Llapjanët eliminuan në gjysmëfinale FC Prishtinën me rezultat të përgjithshëm 5:4 pas dy ndeshjeve në “Fadil Vokrri” dhe “Zahir Pajaziti”.

“Kjo është një ndjenjë shumë e mirë dhe të gjithë jemi të gëzuar për kalimin në finale të Kupës së Kosovës. Pothuajse shumica e lojtarëve i kanë premiat në kontratë. Do të ketë premia nëse vjen Kupa në Llap, dikun 100 mijë euro”, ka thënë Batatina për Demokracia.com.

Llapi, rrugëtimin e tij deri në këtë fazë e nisi me fitore ndaj Onixit me rezultat 2:4, për ta eliminuar pastaj një nga kandidatët për trofeun, Ballkanin me rezultat 4:3 pas ekzekutimit të penalltive.

Të besuarit e Tahir Batatinës kishin një pengesë të vështirë edhe në çerekfinale, ku në “Riza Lushta” eliminuan Trepçën ’89 me rezultat 1:2.Kurse krejt në fund eliminuan kryeqytetasit.

Hera e fundit kur Llapi ishte në finale të Kupës ishte viti 2017 kur u mposhtë nga Besa e Pejës.