Zbardhet dosja e shqiptarit të ekzekutuar në Siri: Rekrutimi dhe rruga drejt...

Zbardhet dosja e shqiptarit të ekzekutuar në Siri: Rekrutimi dhe rruga drejt ISIS-it (Video)

Ervin Hasanaj është shqiptari i radhës që vritet në Siri, por kësaj radhe ai është vrarë nga vetë xhihadistët e ISIS për të cilët shkoi të luftojë ndërsa familja e tij mbahet ende peng. Lajmi për vdekjen e tij u mësua dy ditë më parë. Ndërkohë që raporti i antiterrorit zbulon se rekrutuesi i familjes drejt Sirisë është Bujar Hysa, imami i xhamisë së Mezezit i arrestuar një vit më parë.

Shqiptari Ervin Hasanaj është ekzekutuar nga xhihadistët pasi nuk pranoi të luftonte më në Siri.

I riu nga Sauku kishte shkuar në janar të vitit 2013 bashkë me gruan dhe dy fëmijët në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, por pas muajsh të tërë luftime ishte zhgënjyer dhe donte të braktiste luftën.

Edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sajmir Tahiri, e konfirmoi rastin për të cilin tha se po hetohet intensivisht.

“Nuk është në çështjet më të lehta për tu verifikuar, ndërkohë mbajmë kontakte të vazhdueshme edhe me familjarë të të gjithë shtetasve që figurojnë në listën tonë paraprake të atyre që janë nisur orë të luftuar jashtë Shqipërisë. Informacion më të hollësishëm për këtë nuk mund tju jap pasi informacioni konfirmohet çast pas çasti”, tha ministri Tahiri.

Ora News ka siguruar raportin e intinerarit që Ervin Hasanaj dhe familja e tij ndoqi nga Shqipëria drejt Turqisë, për të përfunduar në Siri. Të dhënat e siguruara në rrugë operative nga Shërbimet.

Duke ju referuar këtij materiali mësohet se personi që ka shoqëruar familjen e Hasanajt drejt Sirisë ka qenë kunati i tij Altin Beka. Më datë 11.11.2013, ai bashkë me të ëmën dhe motrën e dy vajzat të mitura kanë udhëtuar nga aeroporti i Rinasit drejte Stambollit. Rezulton se pas 6 ditësh qëndrim, Beka dhe e ëma e tij janë kthyer në Shqipëri.

Mësohet se Altin Beka (dhe e ëma e tij) ka shoqëruar të motrën dhe fëmijët e saj për në Siri, për t’u bashkuar me burrin e saj, Ervin Hasanaj i njohur ndryshe si (Ebu Ahmed), i cili është larguar për në Siri më datë 16 janar 2013.

Hetuesit thonë në këtë raport të detajuar se nuk kanë informacion nëse ata kanë hyrë apo jo në territor sirian gjatë gjashtë ditëve të qëndrimit të tyre jashtë Shqipërisë.

Në raport përmendet dhe emri i imamit të xhamisë së Mzezit Bujar Hysa, i akuzuar për rekrutim të shqiptarëve drejt Sirisë.

Më datë 11 nëntor 2013, rreth orës 21:27, Bujar Hysa kontaktohet në telefon nga Altini Beka, i cili njofton Hysën se në Hatai kanë mbërritur njerëzit dhe se ai nuk ka vajtur t’i presë. B. Hysa jep një tjetër adresë qëndrimi derisa të lidhet me personat përgjegjës.

Nexhmije Beka, lindur në komuna Bastar-Tiranë, banues në Sauk -Tiranë, rezulton se ka udhëtuar jashtë vendit më datën 11.11.2013 dhe nuk është kthyer.

Megjithëse mbetet ende e paqartë arsyeja, bashkëshortja me dy vajzat e mitura tashmë mbeten shtetase të ISIS. /Ora News