Xhon Kerri, gjobitet me 50$, nuk pastroi borën para shtëpisë

Përgjegjësi i diplomacisë amerikane, Xhon Kerri ka bërë një garë pikërisht në qytetin e tij, pikërisht para shtëpisë së tij. Ka harruar të pastrojë borën që ndodhej mbi trotuarin e “Louisburg Square”, ngjitur me vilën e tij të bukur, në lagjen e pasur dhe ekskluzive të “Beacon Hill” në Boston. Dhe komuna e ka gjobitur me 50 dollarë.
“Xhon Kerri i ka bërë një shërbim të madh vendit tonë, por nuk mund të trajtohet ndryshe nga të gjithë të tjerët, – tha këshilltari komunal, Chales Yancey. – Dhe jam i sigurt se edhe ai do të jetë dakord”.
Në të vërtetë Kerri e pagoi menjëherë gjobën dhe thirri pastruesit që sistemuan gjithçka që kishte mbuluar trotuarin. Por zëdhënësi i tij shpjegoi se nuk bëhej fjalë për neglizhencë.
Gjithçka ndodhi kur Sekretari Amerikan i Shtetit ndodhej në një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite dhe kur Bostoni dhe qytete të tjera në SHBA janë mbuluar nga një metër borë në ditët e fundit.
Disa nga fqinjët e tij, morën qëndrim pas gjobës së marrë, duke e lidhur gjithçka për arsye politike dhe për të vënë në siklet eksponentin e Partisë Demokratike. Por drejtori i zyrës së policisë, i ngarkuar për të respektuar kodin, tha: “Agjentët nuk e dinë se kush jeton në çdo shtëpi”.