Sonte në mbrëmje në stadiumin e Prishtinës ‘Fadil Vokrri’ do të zhvillohet ndeshja e bamirësisë ‘Loja e Yjeve’.

Skuadrat do të udhëhiqen nga Granit Xhaka dhe Milot Rashiça, mirëpo përveç futbollistëve, pjesë e ndeshjes do të jenë edhe shumë këngëtar e fytyra të njohura publike, MC Kresha dhe Ledri Vula janë dy nga emrat e botës së muzikës që do të marrin pjesë në këtë ndeshje, njofton Klan Kosova.

Xhaka për Klan Kosovën tha se është kënaqësi për të që të mblidhet me shok dhe të luaj në Kosovë.

“Organizimi ka shkuar nëpërmjet babit duke e pyet se a jam në Kosovë dhe a mundem me ardh me lujt, për mua është kënaqësi me u mbledh me miq e shokë me lujt në Kosovë. Listën ende nuk e kom parë por jemi këtu shumica e sportistëve Milot Rashiça, Shefki Kuqi dhe shumë të tjerë”.

Xhaka deklaroi se qëllimi është që të sjellin sa më shumë njerëz në stadium dhe se këtë lojë ia kushtojnë edhe legjendës së futbollit Fadil Vokrrit.

“Qëllimi ynë është me pru sa më shumë njerëz në stadium dhe me i pa të lumtur, po japim të gjithë maksimumin tonë. Është një lojë shumë e vecantë për mua të luaj për herë të parë në stadiumin Fadil Vokrri, vdekja e tij është një humbje shumë e madhe për Kosovën por jemi shumë krenar për të kjo lojë shkon edhe për të”, deklaroi Xhaka.