Sipas Federatës së Futbollit të Zvicrës, ylli i kësaj kombëtareje, Granit Xhaka, ka pasaportë zvicerane dhe shqiptare. Por, kjo nuk del të jetë e vërtetë.Përkundër kërkimfaljes së Federatës zvicerane javën e kaluar, debati rreth shtetësisë së dyfishtë në Zvicër duket se nuk ka përfunduar.

Granit Xhaka ka vetëm shtetësi të Zvicrës dhe nuk posedon pasaportë shqiptare, përkundër pohimeve të SFV. Këtë e ka konfirmuar këshilltari i Granit Xhakës për ‘SonntagsZeitung’, shkruan Blick, përcjell Insporti.

Sipas shkrimit të SonntagsZeitung, Xhaka ka vetëm pasaportë zvicerane, jo siç kishte raportuar Federata e Futbollit të Zvicrës sipas të cilës Xhaka ka edhe pasaportë shqiptare.Madje, 25-vjeçari nuk ka pasur asnjëherë pasaportë shqiptare apo kosovare, sipas këshilltarit dhe avokatit të futbollistit, Andre Gross.

Informatat e gabuara duket se vijnë nga një listë, të cilën futbollistët e kanë plotësuar në vitin 2015. Në këtë listë, Xhaka kishte deklaruar se Kosova ishte kombësia e tij e dytë. Por, nuk dihet se si e shndërroi Federata këtë informatë në posedim të pasaportës shqiptare.

Vetë Xhaka e kishte përshkruar veten si futbollist me dy shtetësi kur reagoi ashpër ndaj sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Zvicrës, Alex Miescher.

“Ai i ka zhgënjyer lojtarët e tanishëm si unë dhe të ardhshmit me dy shtetësi”, kishte deklaruar Xhaka pas propozimit të Federatës për të mos lejuar të luajnë për Zvicrën lojtarët me dy shtetësi.Sipas Gross, Xhaka nuk ka shtetësi të dyfishtë. Hulumtimi i ‘SonntagsZeitung’ më tej zbulon se as në ambasadën shqiptare në Bernë nuk ekziston ndonjë Granit Xhaka i lindur në vitin 1992.Tani pikëpyetje është edhe shtetësia e dyfishtë e Xherdan Shaqirit e Valon Behramit. Sipas Federatës edhe ata duhet të kenë pasaportë shqiptare, por tani mbeten dyshime të mëdha për këtë fakt.