Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka ngritur shqetësime për ndërtimet kolektive të cilat janë duke u bërë në Komunën e Podujevës, pasi që sipas tyre, janë në kundërshtim me planin urbanistik, raporton Llapi.info

Përmes një konference për media ky subjekt politik ka thënë se përgjegjës për lejimin dhe aprovimin janë vetë autoritetet komunale. Madje, VV e ka quajtur këtë “Mafia urbane e lidhur me pushtetin Komunal ndërton në kundërshtim me planin urbanistik”.

Sekretari i VV-së në këtë qendër, Bahri Selimi, ka thënë se ndërtimet që po bëhen në Podujevë nuk posedojnë plan urbanistik, që sipas tij, të gjitha ato janë kaotike, siç thotë ai, pa asnjë kriter që kërkohet. Vetëvendosje thotë se nga ndërtimet janë tejkaluar katet. Sipas tyre, te objekti i ‘Beni Dona’ është tejkaluar në tre kate, ndërsa tek objekti afër spitalit dy kate.

“Komuna e Podujevës që nga paslufta po zhvillohet në një kaos të vërtetë urban, madje Komuna e Podujevës nuk e posedon planin hapësinor komunal, e si rezultat i kësaj të gjitha ndërtimet janë kaotike dhe pa asnjë kriter që kërkohet. Të kaluarën ka qenë thuajse vetëm qendra e qytetit që është ndërtuar në bazë të planit urbanistik dhe brenda një koncepti urban, mirëpo ky pushtet abuzues ka filluar ta dëmtoi dhe ta degradoi edhe qendrën e qytetit me ndërtime në kundërshtim me planin urbanistik të aprovuar për zonën e parë të qytetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga kjo ka shkelje flagrante në dy ndërtimet kolektive në qendër të Podujevës.  

“Bazuar në përgjigjet nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, del që në Komunën tonë kemi shkelje flagrante të të gjitha pikave të cilat i parasheh plani urbanistik. Kjo dëshmohet me dy ndërtime kolektive në qendrën e qytetit. Njëra e cila është ndërtuar afër parkut të qytetit nga kompania “Beni Dona” dhe tjetra në afërsi të spitalit e ndërtuar nga kompania “Te Memi”.

“Në ndërtimin nga “Beni Dona”, siç shihet edhe nga fotoja objekti është P+10 ndërsa në bazë të planit urbanistik siç është dhënë edhe përgjigjja nga Drejtoria e Urbanizmit lejohet ndërtimi P+7, që do të thotë se ka tejkalim të etazhitetit për tre kate, ndërsa sa i takon shfrytëzimit të parcelës me plan urbanistik lejohet 45 për qind. Në këtë rast shfrytëzimi i parcelës është afër 100 për qind nga buzë parkut deri te trotuari”, ka thënë ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is image.png

“Në ndërtimin afër spitalit nga kompania “Te Memi”. siç shihet nga fotoja, objekti është P+9 ndërsa koeficienti ne bazë të planit urbanistik është P+7, që nënkupton se ka tejkalim prej dy kateve dhe indeksi i shfrytëzimit të parcelës është edhe këtu pothuajse 100 për qind. Këto janë shkelje në të gjitha elementet e rëndësishme te planin urbanistik. Shkelje të cilat ndodhin para syve te kryetarit te Komunës dhe shkelje të cilat ia kanë zënë edhe diellin objektit te Komunës, objekt ky ku e ka edhe zyrën kryetari”, është shprehur Selimi.

Më tej, Selimi ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të filloj menjëherë hetimet, duke kërkuar edhe dënimet për përgjegjësit, pasi që sipas tij, vetëm kështu mbrohet degradimi i qytetit.

Në lidhje me këto akuza, Llapi.info ka kontaktuar edhe me drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Podujevës, Durim Salihu, i cili ka theksuar se nëse ka vërtetë shkelje do veprohet sipas ligjit.

“Për çdo objekt që ka tejkalim, nëse ka do të veprohet konform ligjit”, ka thënë Salihu.

Por, sipas përgjigjes së drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Hamdi Jaha për VV, katetet e lejuara janë deri në shtatë, por ato janë tejkaluar./Llapi.info