Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, sot janë duke votuar për të zgjedhur kryetarin e ri të tyre ku në garë është vetëm një kandidat dhe ai është ish kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, raporton Llapio.info.

Ngjashëm sikurse edhe në komunat tjera të Kosovës, edhe në Podujevë zgjedhjet e kësaj partie janë duke u mbajtur në mënyrë të rregullt dhe pa ndonjë incident.

Kështu ka thënë për Llapi.info kryetari i VV- së në Podujevë, Bajram Ajeti i cili tha se deri në mesditë dalja e votuesve është e kënaqshme dhe se vota për Albin Kurtin po konsiderohet si nder nga ta.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, gjegjësisht Komisioni Zgjedhor Ad hoc i Qendrës, duke u bazuar në Statutin dhe Rregulloren mbi zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke bërë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtje të procesit zgjedhor për Kryetar të Lëvizjes VETëVENDOSJE!, sot në 12 vendvotime dhe në Zyret e LVV-së ka shpërndarë materialin zgjedhor dhe e gjithë mbështetja logjistike, duke filluar procesi i votimit me kohë dhe në mënyrë të rregullt. Deri në mesditë përgjigjja e votuesve është e kënaqshme, por vërehet edhe një entuziazëm që votimin për Albin Kurtin e konsiderojnë si nder por edhe të vetmin që forcon Lëvizjen dhe Republikës i garanton ndryshimin” ka thënë Ajeti.

Edhe kryetari i komisionit Ad- hoc i qendrës së VV- së në Podujevë, Abedin Zeka ka thënë për Llapi.info se deri më tani jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit.

“Sipas informatave që kemi nga terreni i gjithë procesi i votimit është duke shkuar në rregull, anëtarët janë duke iu përgjigjur ftesës. Ne si Komision Zgjedhor Ad- hoc i Qendrës në Besianë jemi të kënaqur me daljen e anëtarëve në zgjedhje dhe besoj se i gjithë procesi në vazhdim do të shkojë mirë falë angazhimeve të vullnetarëve edhe aktivistëve në këtë proces” tha Zeka.

Kujtojmë se në qytetin e Podujevës janë të hapura 12 vendvotime në të cilat mund të votohet për kryetarin e ri të VV-së./Llapi.info