VV me aksion para Pallatit të Drejtësisë

Lëvizja Vetëvendosje ka realizuar një aksion simbolik para Pallatit të Drejtësisë, ku ka kërkuar lirimin e Trimit dhe Besnikut, dy aktivistë që janë arrestuar gjatë aksioneve të kësaj lëvizje.

Para pallatit kishte ardhë sot edhe Glauk Konjuca, i cili tha se dy aktivistët janë duke u mbajtur në burg padrejtësisht.

Më poshtë keni komunikatën e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mblodhën sot para Pallatit të Drejtësisë, për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve që po mbahen padrejtësisht në burgje.

“Institucioni përballë të cilit po protestojmë, është bërë simbol i kapjes së drejtësisë nga ana e Qeverisë. Nëpër këtë institucion që do duhej të ishte simbol i drejtësisë, kanë kaluar shumë deputetë e aktivistë të opozitës, që u persekutuan përbrenda kësaj drejtësie e kapur nga Mustafa dhe Thaçi. Aktivistët Trim Gashi dhe Besnik Zeqiraj, së bashku deri sot janë mbajtur në burg për 172 ditë me radhë”, tha drejtuesi i Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca. Ai shtoi se Mustafa e Thaçi e kanë ndarë mendjen që t’i shkojnë deri në fund marrëveshjeve të dëmshme, në mbrojtje të “Zajednicës” dhe projekteve të tjera të dëmshme për Kosovën.

“Ky institucion është shndërruar në instrument në duar të regjimit. Ne i bëjmë thirrje që këtu Qeverisë së Kosovës që pa kurrfarë kushti të lirohen të gjithë aktivistët që po mbahen në burg. Ky institucion do duhej ta ndiqte krimin e organizuar, i cili është edhe në politikë”, u shpreh Konjufca, duke theksuar edhe rastet e familjarëve të pushtetarëve që kanë qenë të përfshirë direkt në mohimin e sundimit të ligjit, si familja e Isa Mustafës, Adem Grabovcit, e të ngjashme.

Trimi e Besniku po mbahen nëpër burgje padrejtësisht, nga urdhrat politikë të këtij pushteti të padrejtë. Trimi e Besniku janë mbrojtësit e vërtetë të Republikës, të lirisë dhe të shtetit të Kosovës. Padrejtësia që ka rrënjët te Qeveria, u vazhdua nga Policia, e po vuloset nga Gjyqësia. Ky pushtet që arrestoi Trimin e Besnikun, nuk i do ata që janë trima e besnikë të Republikës, sepse është pushtet frikacakësh dhe tradhtarësh.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! brohoritën parullat “Liri Trimit, Liri Besnikut!”; “Nuk ka burg që na ndalë!”; “Pallati i Padrejtësisë!”; “Stop burgosjeve politike!”; “Poshtë padrejtësia institucionale!”; “Poshtë Kapja e shtetit!”; “Poshtë Hajredin Kuçi!; “Poshtë Isa Mustafa!”; “Poshtë Hashim Thaçi!”; “Poshtë Qeveria e Rashkës”; “Poshtë ‘Zajednica’”; e të tjera.

8 shkurt 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!