Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Qeverinë Hoti se me Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike ka bërë shumë pabarazi në popull. Sipas kësaj partie, ligji favorizon oligarkët dhe të pasurit, ndërsa dëmton taksapaguesit e varfër.

“E pamë që u dëshmua ajo që kemi thënë që nga fillimi që qëllimi i kësaj qeverie është që me paratë që janë në buxhet të mos u ndihmojnë qytetarëve e me ato para që janë në buxhet ka tendencë t’u ndihmojë oligarkëve e bizneseve të afërta me ta. Edhe tash e pamë se ky projektligj i dedikohet një oligarku, një kompanie që operon në Kosovë, e që ka kërkuar të lirohet nga tantiema apo renta minerare që është shumë milionëshe dhe të lirohet nga pagesa e energjisë së ripërtërishme”, ka thënë deputeti Hekuran Murati në një konferencë për media, pasi në Kuvend u miratua Ligji për rimëkëmbjen. “Këto dy kosto do t’i bartë taksapaguesi i varfër i Kosovës”.

“Ky ligj s’mund të quhet i rimëkëmbjes. Është me shumë defekte, ka shumë pabarazi. Mund të quhet si një ligj që merr paratë nga taksapaguesit e varfër dhe i orienton drejt të pasurve e qytetarëve të tjerë u thuhet merrni paratë tuaja nga Trusti”, ka thënë më tej ai.