Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, i ka shprehur interesimin për formimin sa më të shpejtë të qeverisë.

“Sot, Kryetari Albin Kurti së bashku me Nënkryetarin e Lëvizjes Besnik Bislimin priti në takim ambasadorin e mirënjohur, mikun e Kosovës, z. William Walker. Në prag të përvjetorit të 21-të të masakrës së Reçakut, u diskutua për rëndësinë e historisë në politikë, për përpjekjet nga Serbia për të mohuar krimet dhe për domosdoshmërinë e drejtësisë dhe zhdëmtimi për viktimat. Në këtë takim miqësor u diskutua edhe për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Vetëvendosjes.

“Të dyja palët shprehën interesim që qeveria duhet të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe vullneti politik i qytetarëve për ndryshim, i shprehur me 6 tetor, të jetësohet sa më parë”, përfundon komunikata e VV-së.