Dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit po i mohojnë mospajtimet për ndarjen e ministrive. Në VV e LDK thonë se për ndarjen e 12 dikastereve do të bisedojnë Albin Kurti e Isa Mustafa, të cilët do të takohen nesër. Sido që të jetë, kundërshtarët e dy partive, ditëve të fundit kanë intensifikuar deklaratat, duke thënë se VV-ja e LDK-ja po kanë probleme me ndarjen e “kulaçit”, të cilat vazhdimisht janë mohuar nga zyrtarët e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Se si do të bëhet ndarja me numra nëpër kabinetet qeveritare ende nuk është vendosur nga dy partitë e dala të parat nga zgjedhjet, që me shumë gjasë do ta udhëheqin qeverinë e ardhshme. LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë bërë të ditur se për këtë temë do të flitet në nivel të liderëve, derisa mohojnë lajmet se ka pasur kushtëzime nga ndonjëra palë.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, po i zgjat diskutimet për koalicionin qeverisës ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje.

Të dy palët thanë se do ta presin rezultatin përfundimtar zgjedhor, që më vonë të fillojnë bisedimet edhe për pak tema që u kanë mbetur, siç është ndarja e posteve ministrore, që disa herë nëpër media u raportua se ka kushtëzime nga LDK-ja për të marrë më shumë ministri.

Kjo me arsyetimin se pozita e kryeministrit e cila i takon VV-së, vlen sa katër ministri, që sipas raportimeve të mediave i ka kërkuar LDK-ja.

Mirëpo, këto deklarime i ka mohuar në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i LDK-së e anëtari i kryesisë së kësaj partie, Besian Mustafa.

I pyetur për dakordimin apo kushtëzimet për të cilat u raportua, Mustafa tha se këto çështje nuk janë diskutuar.

Njësoj, sikur zëdhënësi i LDK-së ka thënë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Sekretariati për media i këtij subjekti, ka bërë të ditur për Gazetën Express se diskutimet janë bërë vetëm për programin qeverisës.

“Siç kemi theksuar edhe më parë diskutimet deri tani janë bërë për programin me ç’rast është diskutuar për secilën fushë veç e veç. Ndërkaq diskutimet për ndarje të përgjegjësive do të bëhen në takimin mes kryetarëve që pritet të ndodhë këto ditë. Në bisedimet e deritanishme nuk janë shtruar këto tema të ndarjes së ministrive”, kanë bërë të ditur nga sekretariati për media i partisë së Albin Kurtit.

Derisa certifikimi i rezultateve pritet të ndodhë te javën e ardhshme, Mustafa e Kurti për nesër e kanë caktuar takimin e dytë në nivel të liderëve që prej përfundimit të zgjedhjeve.

Këtë e bëri të ditur sot në një paraqitje lideri i VV-së, Albin Kurti, derisa tha se nesër do të takohet me Mustafën. Tutje, ai bërit të ditur se në takimin e nesërm do të flasin për çështjet e mbetura rreth idesë për planin qeverisës.

Kurti komentoi edhe deklaratat e bëra për baraspeshën e postit të kryeministrit, duke thënë se diçka e tillë nuk qëndron.

“Kryeministrin e ka përcaktuar populli me 6 tetor, ministritë janë të diskutueshme”, deklaroi lideri i VV-së.

Lajmin për takimin me Kurtin e ka konfirmuar dje në një përgjigje për Gazetën Express edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

“Me z. Kurti, jam marrë vesh të takohemi në fund të javës. Do të vlerësojmë bashkërisht se ku është arritur me harmonizimin e programit qeverisës si dhe për disa çështje që i paraprijnë marrëveshjes për Qeveri”, deklaroi ai.

Takimi LDK-VV në nivel të liderëve është i dyti pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, ku VV-ja doli si partia më e votuar. Atëherë Mustafa dhe Kurti ishin dakorduar që të krijonin disa grupe punuese që për disa takime me radhë kanë punuar në harmonizim të programit.