Partia e Lëvizjes Vetëvendosje dega në Podujevë ka mbajtur sot një takim me disa banorë të këtij qyteti në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini”

Me rastin e këtij tubimi ku të pranishëm ishin katër kandidatë për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Bajram Ajeti, kryetar i VV- së në Podujevë tha se VV është bërë përcaktuese për të ardhmen e Kosovës  e cila sot është e vetmja forcë e cila qytetarëve të Kosovës u garanton ndryshim dhe të ardhme të sigurt.

Tutje ai tha se” kur ishte çështja e rrezikimit të kufijve të Kosovës të cilët bazoheshin jo në të dhëna shkencore e administrative e ekspertëve, e mori përgjegjësinë një njeri të cilit iu rrit pasuria edhe pas nënshkrimit të Demarkacionit. Edhe Demarkacioni edhe zajednica ishin të rrezikshme, nuk do të thotë se qeveria me Albin Kurtin nuk do ti trajtojë këto probleme  por Zajednica që e kanë menduar ka vdekur njëherë e përgjithmonë. Edhe kufirin me Malin e Zi do ta caktojmë por jo kështu. VV e ka të qartë se çfarë duhet” tha ai.

Tutje Ajeti ka përmendur edhe 40 pikat e planit qeverisës të VV- së i cili tha se do të qeveriset përmes tyre dhe se këto pika janë mënyra më e mirë për një qeverisje të këtij vendi me në krye Albin Kurtin.

Kurse, Shemsie Vokrri kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës në këtë tubim gjatë fjalimit të saj u fokusua në zhvillimin e avancimit të gruas në shoqërinë tonë. Vokrri nuk la pa përmendur edhe zhvillimin i cili do të vij në arsimin e këtij vendi.

“Në këtë 4 vjeçar për çdo fëmijë deri në moshën 15 vjeçare do të ndahen  një buxhet nga 10 euro për çdo fëmijë. Për shtesa për këta fëmijë do të ndahen diku rreth 60 milion euro në vit. Kurse, do të ndërtohen edhe 160 çerdhe, kurse shkollimi i lartë do të jetë falas” tha ajo.

Ndërsa, Kandidatja tjetër për deputete në Kuvendin e Kosovës, Saranda Bogujevci ish- Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë tha se “edhe pse ishta një kohë jashtë Kosovës gjithnjë kam qenë e angazhuar në projekte të cilat kanë të bëjnë me Kosovën. Kam qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e punës dhe luftës që është bërë për të ndryshuar. Nuk ka qenë punë e lehtë. Është punuar shumë që jeta e qytetarëve të kthehet në normalitet të kenë kushte më të mira në arsim” tha ajo.

Sipas saj “gjithë gjerat dukeshin si të pa mundura. Të gjithë mendonin se është vështirë të rrëzohen këta se janë shumë të fortë  edhe nuk mundemi ta bëjmë këtë. Shpesh harrojmë se çka kemi kaluar e përjetuar jo vetëm gjatë luftës por me dekata para asaj kohe.  Pse sot ne nuk mund ta luftojmë një pushtet që pretendon se ka luftuar për neve  por që ia jap të drejtën e plotë vetvetes pastaj të na trajtojnë neve se si u bëhet qejfi atyre.”

Sipas Bogujevcit kandidimi për deputete në Kuvend ka qenë një vendim shumë i lehtë kjo për shkak të njerëzve të cilët e rrethojnë në VV.

Edhe kandidati tjetër për deputet, Ajet Potera u fokusua në 40 shtyllat e zhvillimit të VV-së. Sipas tij partitë në koalicion kanë devijuar qysh moti dhe se me në udhëheqje Albin Kurtin çdo gjë do të jetë e mundur

“Njëra thirret në idenë rugoviane që moti kanë devijuar nga ajo rrugë dhe tjetra në  mbrojtjen e të drejtave  dhe gjërave kombëtare që  edhe ata moti kanë devijuar. VV me në krye Albin Kurtin mundet që çdo gjë është e mundur. Edhe futja e kandidatëve në lista është një dëshmi që juve ju dëshmon që më 11 qershor me dalë dhe ta votoni VV- në” tha ai.

Në këtë tubim Ai përmendi taksat e qytetarëve shëndetësinë e arsimin. Sipas tij produktet të cilat vinë nga Serbia do të ndalohen përgjithmonë ndërsa produkteve nga vendet tjera do u vendosen taksa.