Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin tha mbrëmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të bëjë gjithçka për t’i ndaluar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se do ta fajësojë Serbinë për këtë, transmeton Gazeta Express.

“Kur filluan negociatat në Bruksel në vitin 2012, ata bënë gjithçka për t’i vendosur serbët në tryezën e bisedimeve, sepse ata menduan se njohja ishte një punë e bërë. Tani, në vitin 2021, ata janë duke ikur nga tryeza e bisedimeve, sepse panë që negociatat nuk çojnë në njohje siç kishin shpresuar”, tha Vulin në TV Pink.

Sipas vlerësimit të tij, Kurti nuk ka qëllime të mira, por qëllimi i tij i vetëm është që të mos ketë serbë në Kosovë.

“Ai do të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund bisedimeve. Ai gjithashtu do të flasë për gjenocidin e serbëve”, tha Vulin.

Këto deklarime të Vulin vijnë pasi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shkoi në Bruksel me një propozim konkret për nënshkrimin e një deklarate të paqes mes Kosovës dhe Serbisë.