Beograd, 16 janar – Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin ka pritur sot në Beograd komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Lorenco D’Adarion, të cilit, siç raporton FoNet ia ka përcjellë se “për Serbinë është i papranueshëm formimi, -siç shprehet në zhargonin e tij Beogradi – i të ashtuquajturës Ushtri e Kosovës”.

Sipas tij, KFOR-i është i vetmi garant i sigurisë në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e KS të OKB 1244 dhe ai paraqet të vetmin formacion legjitim në këtë hapësirë.

“Popullsia serbe në Kosovë sheh në të vetmin garant të sigurisë” është shprehur ai.

Sipas këtij burimi, ai ka kërkuar nga KFOR-i që të mbetet me kapacitete të njëjta dhe që misioni të mos zvogëlohet përnga numri, duke shtuar se vendimi për këtë duhet të varet nga vlerësimi i përhershëm i situatës në planin politik dhe të indikatorëve të gjendjes së sigurisë, dhe jo në bazë të datave të definuara.

D’Adaria citohet të ketë deklaruar se respekton pozicionin e Serbisë dhe sjelljen e matur në situatat incidentale në Kosovë, transmeton Koha.net.