Vuçiq: KFOR-i rol kyç në mbrojtjen e serbëve në Kosovë

Kreyministri serb Aleksandar Vuçiq gjatë takimit që pati sot me komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Philip Breedlove tha se KFOR-i luan rol kyç në mbrojtjen e popullit serb në Kosovë, si një garantues i sigurisë së tyre, si dhe në ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Shefi i Qeverisë serbe gjatë takimit poashtu ka shprehur shpresën se bashkëpunimi në mes të Ushtrisë së Serbisë me NATO-n në kuadër të Partneritetit për Paqe, do të përmirësohet në mënyrë që të vazhdohet puna në ndërtimin e kapaciteteve për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, raportojnë mediat serbe.

General Breedlove ka konfirmuar se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj me përgjegjësi në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.

Ai shtoi se ka shumë mundësi për përmirësimin e bashkëpunimit të NATO-s me ushtrinë serbe, që ai e përshkroi si shumë profesionale.

Një ditë më parë, zyrtari i lartë i Aleancës veri-Atlantike ishte për vizitë në Kosovë ku u takua me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Isa Mustafa si dhe komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta.