Një përleshje mes punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, përfundoi me vrasje. Isa Sejdiu mbeti i vdekur pas plagëve që mori nga dy plumbat që u hodhën në drejtim të tij. Pjesëtari i sigurimit në AKI-i, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit Sejdiu, duke e lënë këtë të fundit pa shenja jete. Në Prokurorinë e Themelore të Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express se në trupin e viktimës janë gjetur dy plumba. Ndërkohë që në AKI, kanë deklaruar se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e saj, shkruan Gazeta Express.
Gjithçka nisi në bufenë e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës. Isa Sejdiu kishte filluar punën sikurse çdo ditë tjetër në AKI, ku punonte si kryekuzhinier. Por, të martën ai ishte penguar gjatë kryerjes së detyrës.

Pjesëtari i sigurimit në këtë institucion, Valon Ibërdemaj kishte shkuar dhe ishte përleshur me Sejdiun, ku më pas kishte gjuajtur me dy plumba drejt tij dhe e kishte lënë pa shenja jete.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes i kanë thënë Gazetës Express se menjëherë pasi që Sejdiu kishte ardhur në vendin e tij të punës, Ibërdemaj kishte shkuar dhe ishte përleshur me kryekuzhinierin.

Ata tregojnë se fillimisht i dyshuari e kishte goditur Sejdiun në vende të ndjeshme duke e lënë të shtrirë në tokë. Por, nuk kishte vonuar shumë e kishte shtënë edhe me armë ndaj tij duke e lënë të vdekur. Dëshmitarët tregojnë se në trupin e viktimës u drejtuan dy plumba

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Expresss edhe zëvendësprokurori në Prokurorinë Themelore, Ibrahim Berisha.

Berisha ka thënë se në trupin e viktimës kanë qenë dy plumba. Por, nuk e mohon se ka pasur edhe të shtëna të tjera. Ndërsa, tregon edhe për moshën e të dyshuarit dhe viktimës.

“Viktima në trupin e tij ka pas dy plumba nga të cilët edhe ka marrë plagë vdekjeprurës. Mund të ketë pasur edhe të shtëna të tjera, por në trupin e viktimës janë gjetur dy plumba. Viktima ka qenë 37 vjeçar, ndërsa i dyshuari ka qenë 32 vjeçar, i cili tashmë gjendet në ndalim policor, ndërsa nesër pritet të i caktohet paraburgimi”, ka thënë Berisha.

Gjersa deklaron se motivet mbeten ende të paqarta, ndërsa thotë se autopsia është kryer para disa minutave.

E gjithë ngjarja ndodhi brenda objektit të AKI-së, institucioni ky me sigurinë më të lartë në vend, e që është përgjegjëse edhe për sigurinë nëpër institucionet e tjera, shkruan Express.

Por, në këtë institucion mohojnë që rasti të ketë pasur të bëjë me ndonjë çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së. Por, e konfirmojnë se mbi viktimën shtiu një zyrtar i sigurimit të brendshëm.

Gjersa, thonë se me hetimin e këtij rasti po merret prokurori kompetent.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin drejtuar mediave nga AKI.

Për vrasjen që ka ndodhur sot brenda ndërtesës së Agjencisë së Inteligjencës Kosovare, motivet e të cilës ende nuk dihen, kanë folur edhe nga Qendra Klinike Universitare.

“Po përkundër përpjekjeve të mjekëve të shërbimit emergjent nga plagët e rënda që ka pasur nuk ka arritur të mbijetoj dhe ka vdekur. Personi i vdekur është i moshës mesatare”, ka thënë Shpend Fazliu për Gazetën Express.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke trajtuar rastin e trupit të pajetë i cili i vra mëngjesin e kësaj të marte në ndërtesën e AKI-së.

Ndërkohë përpos hetuesve në QKUK kanë qëndruar edhe familjarë të shumtë, të cilët janë parë të shokuar.