Foto ilustrim

Vetëm brenda një jave në komunën e Podujevës, 8 persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale, shkruan Llapi.info.

Vjedhje, therje, rrahje e armë pa leje kanë qenë disa nga rastet për të cilat Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione në këtë qytet.
Mirëpo, jo vetëm gjendja e sigurisë në Podujevë është nivelin e duhur. Edhe gjendja politike në këtë komunë, sipas profesorit të shkencave të Sigurisë, Avni Islami po konsiderohet jo krejtësisht e qetë.

Ai, në një prononcim për Llapi.info tha se në këtë drejtim ka shumë për tu bërë dhe se organet komunale dhe ato të sigurisë duhet të lëvizin në këtë drejtim.
“Gjendja e politike dhe e sigurisë në Podujevë është relativisht e qetë, por ka vend që ka shumë për tu bërë nga institucionet komunale dhe organeve të sigurisë” tha Islami.

Sipas Islamit edhe vjedhjet e tepërta dhe arrestimet e herë pas hershme të qytetarëve në zonat kufitare, janë disa nga problemet kryesore të sigurisë në Podujevë.

“Vjedhjet janë një dukuri qe po e shqetëson qytetarin e Llapit. Numri i madh i aksidenteve si përsëritja herë pas here e arrestimit te qytetarëve në zonat kufitare janë disa nga problemet që po e përcjellin Komunën si dhe armë mbajtja dhe posedimi i tyre duhet të trajtohet me seriozitet” shtoi ai.

Përveç kësaj, Islami ka bërë thirrje që me afrimin e sezonës së verës dhe shtimit të ahengjeve familjare të ketë kujdes edhe në përdorimin e armëve përmes së cilave do të rrezikohej jeta e të tjerëve.

“Tash më veç koha e dasmave dhe ahengjeve po afrohet, duhet sa më shumë që të punohet në atë drejtim e që të mos përdoren armët në gëzime”, përfundoi ai.

Kujtojmë se në komunën e Podujevës, sipas raporteve të policisë, vetëm brenda muajit prill janë arrestuar më shumë se 10 persona të cilët kanë bërë vepra të ndryshme penale./Llapi.info