Dhjetorin e kaluar Lucrecia Dalt udhëtoi në një pyll në Kolumbi që është pjesë e Chocós, një vend i njohur për biodiversitet e që shtrihet përgjatë Costa Ricas deri në Ekuador.

Ajo ishte në kërkim të një gjëje të rrallë: kohën për të mos bërë asgjë thjesht për të ekzistuar. Sidoqoftë, e fundit që ajo kërkonte ishte paqja dhe qetësia.

Organizata “Mas Arte Mas Accion” e ka ftuar producenten gjermano-kolumbiane që të bëhet pjesëmarrëse në një rezidencë të quajtur “Espacio para Pensar” dhe Dalt mori muzikantin zhurmaxhi, amerikanin Aaron Dilloway, shkruan KOHA.

Dyshja shpejt e zhyti veten në pasurinë e xhunglës, tinguj kompleksë, duke incizuar papagajtë, bretkosat, insektet, përplasjen e valëve e ecjet nëpër baltë madje edhe tranzicionet nga nata në ditë.

Disa muaj më pas ata u larguan, koronavirusi goditi – dhe ata vendosën që t’i publikojnë rezultatet e tyre në “Bandcamp”. Incizimet në terren në pyllin në Kolumbi dolën në kohën kur faqja largoi taksat duke i ridestinuar paratë për artistët që u goditën nga pandemia. “Këto incizime”, thotë Dalt “kanë potencialin të të marrin jashtë nga izolimi në një vend tjetër – më të qetë, ndoshta. Më kanë mundësuar që të krijoj një vend timin imagjinar në shtëpi”.

Me botën të mbyllur, një numër në rritje i artistëve, hulumtuesve dhe incizuesve të terrenit kanë lansuar albume të tyre që kapin tingujt e natyrës, shumica e tyre më qëllim që të lehtësojnë sa më shumë izolimin, për dëgjuesit e shqetësuar në pamundësi për të përjetuar ngritjen e humorit për shkak të ardhjes së pranverës dhe cicërimat ngazëlluese të zogjve, mes shumë gjërave të tjera.

Në mars, Carina Pesch një muzikante nga Leipzigu lansoi një seri në profilin e saj në “Facebook” të titulluar “The Ears May Travel”, në të cilin ajo ka incizuar zëra duke përdorur dy mikrofona nga vendet ekzotike, si malet Pirineje, Greqia dhe Indonezia. “Incizimet janë ‘binaural’ dhe jo ‘stereo’”, sqaron ajo. “Kështu që ju nuk e dëgjoni zërin vetëm majtas apo djathtas, por edhe lart, poshtë, para dhe prapa. Me të vërtetë të dërgojnë tek ai vend”. Për Pesch, “The Ears May Travel” është më shumë sesa një pushim. Në kohë të distancës sociale e gjeografike, seria është një “kujtim miqësor që udhëtimi dhe liria e lëvizjes janë një nevojë bazike dhe e drejtë e njerëzve”.