Vizatimet e Edi Ramës që zënë fill në takime

E kam parë Edi Ramën në Beograd në vitin 2014, që asokohe e kisha për detyrë ta përcillja, në një konferencë me rastin e vizitës së tij, në fakt vizitës së parë në Serbi të një kryeministri shqiptar pas 70 vjetësh.

Hijerëndë e i matur, Rama është një tip i pashëm. Do të fliste edhe për mikun e tij, skulptori Mrgjan Bajiq, e mediat një pjesë të deklaratës së tij e prenë, dhe doli se ai kishte thënë diçka tjetër. Nuk e di se përse askush nuk i përcolli fjalët e tij afirmative për mikun e tij.

Por e kuptova mirë që ai kishte thënë këtë: që shtetet e vogla ballkanike duhet të bashkëpunojnë si shtetet e Beneluksit, të përkujdesen për ekonominë e jo për historinë, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e “Danasit” të Beogradit.

Edi Rama është piktor, jetoi në Paris, qe kryebashkiak i Tiranës kur atë qytet të mësuar me socrealizimin e ngjyrosi si ishullin Burano, si një alamet semafori me të gjitha ngjyrat.

Tiranasit e mërzitshëm nuk e pranuan fort lehtë ngjyrosjen e fasadave, por ai ia doli. Për këtë mori çmimin si kryebashkiaku më i mirë në botë në vitin 2004. Asokohe do të thoshte: “Të jesh kryebashkiak i Tiranës është shkalla më e lartë e artit konceptual”.

Në fund të fundit, cili artist nuk do të dëshironte që të kishte në dispozicion për ta ngjyrosur një hapësirë aq të madhe?

Në Berlin (prej 2 shtatorit deri më 7 tetor v.j.) në galerinë “Michael Schultz”, është hapur ekspozita me veprat e tij, e cila për nga natyra e gjërave, më interesoi fort. Është hapur bash te ai qoshku ku Kafka e takoi Felice Bauerin. Pas kryeministrit tonë të pafat (të Serbisë v.j.) është interesante të shihet se si një politikan i rebeluar megjithatë ia del të mbetet ai që është në esencë, në këtë rast një artist rebel.

Krejt galeria është e mbuluar me tapete me motive nga vizatimet që Rama i ka bërë gjatë takimeve, në fletë agjendash, dokumente pune a e-maile, kur, siç thoshte ai, dora vetë kishte vizatuar gjë që nuk e ka për fokus bazë artin, por është një situatë prej të pavetëdijshmes. Motive sureale kanë çuar krye prej letrës së bardhë e shkronjave të zeza, forma si gishtërinj, prerëse, tru, harta, drunj, breshka, lidhje në forma kërmijsh a fluturash, ngjyrash të ndezura. Këto forma nuk dalin prej një takimi, por ai i realizon gjatë dy-tri ditëve në disponime të ndryshme, me ndërprerje, e dora bën kalime të egra. Të njëjtat tapete mbulojnë edhe muret e zyrës së Ramës.

Në bazamente janë të vendosura veprat në qeramikë dhe konstruksionet prej argjilës: Tirana në ngjyrat ulëritëse, shtëpiza e ndërtesa, ura mbi njëra-tjetrën. Konsiderohet se figurat prej qeramike janë inkarnim i vizatimeve. Edhe unë e ndaj të njëjtin mendim. Qeramikat janë reflektim i konstruksionit arkitektonik dhe i kaosit të qytetit, ku krejt ato format janë të ngjitura e të mbuluara me rrjetë.

Të kornizuara, vizatimet origjinale nga takimet po ashtu janë të varura në mure. Më së shumti më fascinon një pranim haptazi: “unë në takime vizatoj, ju ftoj, dilni nga kutia”. Çdo gjë është në shitje. Veprat në qeramikë sillen prej 18.000 deri në 30.000 euro, vizatimet kushtojnë 3.600 euro e tapetet 36.000 euro. Sikur të mund të blija një apartament do të porositja edhe një tepet të Ramës, sepse më fascinon autenticiteti që ka vënë me këtë ligjësim artistik.