Ministria e Shëndetësisë së fundmi ka lejuar vaksinimin e qytetarëve, të cilët kanë për të udhëtuar jashtë vendit për çështje pune, shkollimi dhe të ngjashme.

Kjo për shkak se ambasadat në kriteret e tyre për aplikim për vizë, kanë edhe vaksinën anti-COVID.

Qytetarët të cilët kanë synime të tilla po e mirëpresin këtë vendim, teksa fluksi i këtyre personave për imunizim është rritur dukshëm në qendrën e vaksinimit në Fushë-Kosovë.

Megjithatë, përveç aplikimit në platformën e-Kosova, në qendrat e vaksinimit duhet të paraqesin dëshmi se kanë për të udhëtuar, qoftë kontratën e punës, biletën e udhëtimit, ftesën për ndonjë aktivitet shkencor apo edhe të garave sportive.

Këso kërkesash ka edhe në komuna të tjera. Veç gjatë ditës, në Viti janë imunizuar 25 të tillë që kanë viza pune.

Përveç kësaj kategorie që ka të drejtë vaksinimi, nga këto dy qendra u tha se pas ardhjes së vaksinave është rritur edhe numri i termineve për vaksina edhe për gupet tjera.