Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka shpalosur punën e saj që nga marrja e mandatit.

Nagavci ka thënë se një nga vendimet e saj është mësimi plotësues, i cili sipas saj, duhet të vazhdojë.

“Si fillim kemi marrë vendim për mësim plotësues për nxënësit që kanë pas ngecje si pasojë e COVID-19 sidomos të shkollat e para dhe e dytë por edhe në shkollat e mesme të ultë dhe të mesëm të lartë. Na janë përcjellë raportet nga DKA-ja për numrin e nxënësve që kanë marrë pjesë mësim plotësues, puna po vazhdon ngase nevoja për permisuar rezultatet janë evidente edhe shumë për shkak pandemisë. Kemi organizuar mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit së Kamenicës të cilët për më shumë se një vit nuk kanë marrë pjesë në mësim të rregullt. Vendimi është marrë pas vizitave dhe raporteve nga ana e inspektoratit”, u shpreh ministrja.

Tutje ajo bëri të ditur se mësimi do të vazhdojë deri më 2 korrik. Ajo tha se mësimi do të vazhdojë në bazë skenarëve A,B,C.

“Është mbajtur një mbledhje me drejtorët e arsimit, udhëzimi administrativ e ka paraparë me 30 qershor, por për shkak të pushimit pranveror dhe vendimin të cilin e kemi marrë për pushimin veror është zgjatur mësimi deri me 8 korrik. Si përfundim mësimi do të zgjat deri më 2 korrik, natyrisht sipas specifikave dallojnë varësisht prej nivelit të arsimit që janë”, u shpreh ajo.

Më 8 qershor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka deklaruar se do të insistojnë që sistemi arsimor parauniversitar t’i kthehet normalitetit dhe që viti shkollor të përfundoj sipas kalendarit mësimor, më 30 qershor.