Një student i rregullt që vijon studimet në nivelin baçelor në Universitetin e Prishtinës shpenzon 100 euro për pagesat e semestrave, derisa studentët e masterit shpenzojnë 600 euro për semestra.

Kjo praktikë pritet të ndryshojë për studentët e universitetit publik.

Kështu së paku po paralajmëron zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ai thotë se studentët e këtyre niveleve do të lirohen nga të gjitha pagesat.

“Ideja është që ndryshimet të bëhen deri në shtator të këtij viti, në mënyrë që studentët të mund ta regjistrojnë semestrin për herë të parë pa pagesë. Nëse të njëjtët humbi vitin, ata duhet ta paguajnë semestrin siç është tani”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dukagjin Pupovci.

Një lehtësim të tillë po e mirëpresin studentët.

“Mendoj se është një lehtësim për studentët. Edhe semestrin e dytë të vitit të kaluar e kemi pasur pa pagesë dhe na ka ndihmuar shumë”, deklaroi studenti Fatlind Azizi.

Por ekspertët e arsimit këtë premtim po e konsiderojnë sipërfaqësorë dhe populist.

“Pikën ku thuhet se arsimi i lartë do të bëhet pa pagesë, e kemi konsideruar si premtim shumë sipërfaqësorë i cili nuk ndikon në ngritjen e cilësisë së studimeve të studentëve”, deklaroi eksperti arsimit Dibran Hoxha.

Ndryshe, ky premtim ishte përfshirë edhe në plan programin e Qeverisë Kurti 2.