Për shkak ngecjes së punimeve të cilat janë duke u bërë në magjistralen Podujevë- Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë sot ka mbajtur një protestë përmes së cilës ka kërkuar intensifikim të punimeve në këtë rrugë, raporton Llapi.info.

Me këtë rast kryetari i degës së VV-së në Podujevë, Ajet Potera, ka kritikuar qeveritë qendrore të vendit të cilat, siç tha ai, po lënë anash rajonin e Llapit e Gollakut. Sipas tij i gjithë angazhimi i pushtetarëve ka qenë vetëm për marrje të votës.

“Ky rajon nuk ka një përkrahje dhe mbështetje edhe pse qe 18 vite kemi pasur përfaqësim nga kjo trevë në të gjitha nivelet. Kanë marrë votën e Llapit për përfaqësim. Komuna e Podujevës është lënë tërësisht anash nga të gjitha pushtetet në të gjitha projektet. Edhe kur ka projekte edhe ato janë të dobëta dhe jo mirë të menaxhueshme siç është rasti i këtij projekti. Qeveritë janë duke diskriminuar Llapin” tha Potera.

Përveç kësaj, Potera ka hedhur kritika edhe në drejtim të ministrisë së Infrastrukturë e cila sipas tij nuk është transparente me qytetarët. Kurse, ka kritikuar pushtetin lokal të Podujevës për siç tha , mos bërje të presionit në ministrinë adekuate për përshpejtim të punimeve.

“Pse nuk ka mundësi që kontrata të jetë publike për opinionin. Në shumë vende të rëndësishme mungojnë nënkalimet. Ku janë stacionet e autobusëve. Këta njerëz duhet të kenë qasje në transportin publik qytetarë dhe studentë. Është folur për korsi të treta por sot nuk jemi duke i parë ato. Është folur për një plan 3 vjeçar porsi duket do të vazhdojë edhe më gjatë. Ku është pushteti lokal që nuk po interesohet për qytetarin e vet. Pse nuk bën kërkesë në ministri për përshpejtim të punimeve. Pushteti është duke e maltretuar qytetarin. Qeveria e më hershme edhe kjo ka dështuar për trajtim të qytetarëve të barabartë. Qeveri e pa përgjegjshme qytetarët nuk kanë faj për dështimet e qeverive në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtarë” përfundoi Potera.

Edhe asamblisti i VV- së në Podujevë, Bajram Ajeti kritikuar kompanitë të cilat janë “të korruptuara e të cilat punojnë sot, kurse nesër nuk i gjen duke punuar sepse këto kompani të korruptuara marrin tenderë nga të korruptuarit”

Vetëvendosje e cila aktivitetin sajë e zhvilloi në fshatin Gllamnik dhe tek rrethrrotullimi i ri që ndërlidhë rrugën e qendrës së qytetit “Zahir Pajaziti” me magjistrale, tha se “në rast se standardi dhe cilësia e punimeve nuk rritet ne do të thërrasim në protestë edhe qytetarët”

Kujtojmë se punimet në këtë magjistrale patën filluar në vitin 2016. Deri më tani punimet mbetur të përgjysmuara ku edhe segmenti i parë i paraparë të përfundojë brenda një sezoni veror tashmë e dy vite ka mbetur i pa përfunduar./Llapi.info

Vetëvendosje e Podujevës proteston, shkak punimet në magjistralen Podujevë- Prishtinë

Publiée par Llapi.info sur Samedi 8 septembre 2018