Veseli viziton Shqipërinë

Veseli viziton Shqipërinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nesër do të udhëtojë për në Shqipëri për një vizitë zyrtare.

Siç njoftohet nga zyra për media e Kuvendit, Veseli në Shqipëri do të qëndrojë më 10 dhe 11 shkurt dhe do të ketë takime të ngjeshura me drejtuesit kryesorë institucionalë të Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të politikës shqiptare.

“Agjenda e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të fillojë me takimin me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Më pas, kryetari Veseli do të pritet në takime të ndara nga presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama. Një takim të veçantë do ta zhvillojë edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha”, thuhet në komunikatë.

Në ditën e dytë të vizitës, kryeparlamentari do të takohet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentët: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.

Kreu i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë një vizitë edhe në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara, në Kavajë.