Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli gjatë vizitës që sot pati në Ferizaj ka ndaluar në një barnatore për të biseduar me farmacistët lidhur me gjendjen aktuale nga Covid-19 dhe shqetësimet që ata kanë.

Veseli u shpreh nga facebook-u, se ndaj punonjësve shëndetësorë të sektorit privat, siç janë farmacistët, duhet treguar mirënjohje, ndaj dhe Qeveria duhet punuar më shumë për ta dhe gjithë të tjerët që luftojnë kundër Covid-19.

”Në Ferizaj u ndala në një barnatore për të biseduar me farmacistët lidhur me gjendjen aktuale dhe shqetësimet e tyre. Duhet të tregojmë mirënjohje edhe ndaj punonjësve shëndetësor të sektorit privatë, si farmacistët, të cilët gjithashtu dita ditës janë në shërbim të qytetarëve dhe janë gjithashtu duke u përballur personalisht me kërcënimin e koronavirusit.

Kemi plot arsye të ndihemi krenar me zinxhirin e plotë të shërbimit shëndetësor që kemi ndërtuar në Kosovë gjatë këtyre dekadave të pavarësisë sepse po e përballon mirë pandeminë. Megjithatë mendoj se qeveria qendrore ka mundësi të bëj shumë më tepër për ti mbështetur siç duhet farmacistët dhe gjithë të tjerët që janë të angazhuar në luftën kundër koronavirusit”.