Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot qindra gra në qytetin e Mitrovicës ku ka shpalosur sot një pjesë të programit të tij për paktin e luftës kundër korrupsionit, çështjen e legalizimit të pronave dhe fuqizimin e rolit të grave nëpërmjet mbështetjes institucionale.

“Kam iniciuar paktin kundër korrupsionit dhe çështjen e legalizimit të pronave. Janë rreth 350 mijë prona të cilat janë në Republikën e Kosovës të pa legalizuara dhe të cilat nuk kanë fletë poseduese. Është një kapital prej 10 miliard eurosh që qëndron i bllokuar. Kjo do të jetë ajo që do të mundohem ta zgjidhë bashkërisht pas 6 tetorit. Nuk ka lider në Republikën e Kosovës, as nuk ka parti, dje as sot, po ju jap fjalën as nesër, që i veshë gratë më shumë me petkun e përgjegjësisë në institucionet e vendit, sesa PDK-ja”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së tha se koncepti i partisë së tij është shumë i qartë, një Kosovë euroatlantike dhe perëndimore, si dhe marrja e drejtpërdrejt me problemet me të cilat qytetarët janë ballafaquar deri tani.

Veseli tha se nuk mban inate personale me asnjërin që përpiqet për të mirën e vendit, ndërsa premtoi se do të vazhdojë paktin kundër korrupsionit së bashku me qytetarët, për shkak të një perspektive më të mirë për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Koncepti jonë është shumë i qartë, një Kosovë euroatlantike dhe perëndimore, si dhe marrja e drejtpërdrejtë me problemet me të cilat qytetarët janë ballafaquar deri tani. Unë kam pritur nga partitë tjera që kur kam filluar luftën kundër korrupsionit, të paktën me pas mirëkuptim, përkrahje, por vërejta se më shumë sesa qëllimi i mirë, është inati për me mbajt veten të bllokuar. S’kam inat me askënd, çdokush që mundohet për të mirën e këtij vendi, ka me qenë afër tij kudo që jam. Kështu i kisha thirr edhe ata. Unë do të vazhdoj, paktin e luftës kundër korrupsionit do të vazhdojë me gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për arsye se për me i kriju perspektivë jetës tonë, vendit dhe të rinjve tanë, në rend të parë duhet me ndal atë që quhet lakmi, ego, dhe kjo me fjalë politike quhet korrupsion dhe nepotizëm, të cilat duhet me i ndalë”, theksoi Veseli.

Duke premtuar perspektivë më të mirë për të gjithë në qeverisjen e tij, sidomos për të rinjtë, Veseli kërkoi unitet për të mirën e shtetit të Kosovës dhe assesi përçarje në mes vete. /Lajmi.net/