Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vetëm duke e respektuar Kushtetutën do ta respektojmë dinjitetin tonë.

Në 11-vjetorin e ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se sundimi i ligjit është parimi themelor pa të cilin nuk mund të ecim përpara në përmbushjen e vizionit që kemi për shtetin, e as ta mbajmë Kosovën si një vend të shpresës, të perspektivës për të rinjtë e saj dhe për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Veseli ka thënë Kushtetuta e Kosovës është dinjitet i shtetit tonë.

Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dinjiteti i shtetit tonë.

Prandaj, duhet ta kemi të qartë se vetëm duke e respektuar këtë kushtetutë do ta respektojmë dinjitetin tonë.

Sundimi i ligjit është parimi themelor pa të cilin nuk mund të ecim përpara në përmbushjen e vizionit që kemi për shtetin, e as ta mbajmë Kosovën si një vend të shpresës, të perspektivës për të rinjtë e saj dhe për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.

Sundimi i ligjit është substancë jetike e vetë qenies sonë si Komb.

Kemi arritur suksese deri tani dhe mund t’i shënojmë ato me krenari, por, në rrethanat tona, duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më drejt se çdo shtet tjetër.

Sepse, çmimi që dhamë dje dhe synimi që kemi sot janë të mjaftueshme për ta kërkuar këtë.

Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka vetëm një titullar: popullin e saj. Kjo është fryma e kushtetutës sonë.

Është vetë e ardhmja jonë.

Urime 11 vjetori i miratimit të Kushtetutës!