Vërshimi i lajmeve dhe ripërtypja e tyre po e streson tej mase...

Vërshimi i lajmeve dhe ripërtypja e tyre po e streson tej mase publikun

Shkruan: Azem OSMANI

Është e vërtetë se mediat e reja të internetit kanë ndryshuar rrënjësisht gjendjen e publikut në aspektin e informimit. Shkencëtari i njohur kanadez McLuhan duke iu referuar epokës së përdorimit të internetit, botën e ka quajtur një Fshat Global.

Të gjithë ne, tani jemi përjetues të kësaj gjendjeje sesa shpejt po i thithim lajmet e reja nga interneti, e sidomos nga portalet informative. Këtu po luajnë një rol të madh edhe rrjetet sociale të cilat kanë krijuar lidhje konsistente me portale.

Është nevojë dhe interes i shoqërisë njerëzore për t’u informuar. Informimi i drejtë, i saktë dhe i shpejtë ndikon dukshëm në stabilitetin e një shoqërie. Por kjo varet shumë nga përmbajtja dhe mesazhi i lajmit, duke ditur se mediat më së shumti bazohen nga thënia e njohur se lajmi i vërtetë është lajm i keq.

Tani më, kur po dominojnë mediat e reja, edhe pse këto publikut i kanë sjellë shumë risi në vete, nuk mund të themi që e kanë përmirësuar cilësinë e informacionit. Përkundrazi, cilësia e informacionit ka pësuar rënie. Kjo nuk do mend, sepse secila punë kur bëhet shpejt e shpejt nuk prodhon cilësi të dëshiruara, aq më tepër kur sasia e informacionit të shpërndarë rritet në mënyrë rapide. Kjo gjendje është e njëjtë pothuajse në gjithë globin, prandaj edhe ne jemi të përfshirë në këtë zinxhirë.

Portalet informative në Kosovë lajmet po na i servojnë në shpejtësi. Tani më kemi në dispozicion shumë më shumë lajme se sa që kishim më parë nga mediat tradicionale. Mirëpo mënyra e shpërndarjes dhe qasja profesionale në prodhimin e një lajmi lë shumë për të dëshiruar.

Portalet tona informative si duket e kanë gjetur “çelësin e suksesit” për të joshur sa më shumë lexues-vizitorë-klikues. Mirëpo ky “çelës i suksesit” shkon pothuajse vetëm në favor të rritjes të profitit të tyre, por jo edhe të cilësisë së lajmit. Po marr shembull rastin e krizës aktuale politike në Kosovë që po ndodhë në Kuvend dhe jashtë tij. Redaksitë e portaleve që konsiderohen “më të mençura” po arrijnë të shfrytëzojnë momentet emocionale të publikut, duke i futur në “ujërat e tyre” nëpërmes mënyrës së informimit. Për shembull:

“Tani kanë hyrë deputetët e opozitës në Sallë”, publikohet titulli me pak fjalë dhe me foto përcjellëse.
Pas pak minutave publikohet titulli tjetër “Filloi hyrja edhe e deputetëve të pozitës”, prapë me foto.

“Foltorja e Kuvendit u rrethua me forca të sigurisë”, “Pritet sërish të hedhet gazi lotsjellës nga opozita”, “Është rrezik të ketë përleshje fizike në mes të deputetëve”…dhe kështu vazhdon minutë për minutë kjo telenovelë e lajmeve të shoqëruara me fotografi shumë herë të pakëndshme, ku shihet tym dhe skena të përleshjeve…

Është shumë e rëndësishme që publikut t’i ofrosh lajme në shpejtësi se çka është duke ndodhur, sepse fundja ai vet këtë gjë e kërkon. Mirëpo, secili lajm duhet ta ketë një fillim, një rrjedhë dhe një fund, por jo t’i servosh lajme me shkëputje të tilla sekuencash, që në shumicën e rasteve janë të parëndësishme. Pse duhet t’i interesoj publikut a hyri ose a doli? Publikut i intereson rrjedha përmbajtjesore e ngjarjes dhe rezultati i përfundimit (tjetër gjë është kur publiku përcjell rrjedhat e ngjarjeve drejtpërdrejtë në programe televizive).

Fundja, ai këtë e pret me padurim, sepse është një ngjarje në interes të vendit.

Metodat e tilla të informimit në shkëputje dhe me të dhëna të parëndësishme, pastaj fotografitë me përmbajtje tmerruese, lajmet rreth thashethemeve të personave publik, lajmet me etiketime, fyerje, sharje e kërcënime, por edhe vërshimet e informacioneve në aspektin sasior, të gjitha këto ndikojnë në stresin kolektiv të publikut, pasi kjo gjendje është e vështirë të menaxhohet në aspektin psikik.

Stresi i publikut rritet edhe më shumë kur në disa raste nga i njëjti lajm del më vonë një kundër-lajm tjetër, padyshim se publiku lajmin e parë të futur “në lukth” për “përpunim” detyrohet ta kthej serish “në gojë” për ta ripërtypur, respektivisht për ta deshifruar mesazhin e kundër-lajmit. Jo më kot McLuhan për mediat thoshte:

“Mediat duke qenë zgjatime të sistemit tonë fizik e nervor përbëjnë një botë ndërveprimesh biokimike të cilave u duhet të kërkojnë një ekuilibër të ri sa herë që shfaqen zgjatime të reja”.

Për lexuesin do të ishte më së miri ta marr lajmin e kompletuar dhe në qetësi ta deshifroj mesazhin e tij sipas mënyrës së vet.

Uroj që me kalimin e kohës pronarët dhe redaktuesit e mediave të reja, e sidomos të portaleve informative, të përpiqen për të përmirësuar këto të meta duke mos i përjashtuar edhe anët pozitive që kanë. Po ashtu të kenë kujdes edhe në aspektin drejtshkrimor, sepse nga shpejtësia e gjenerimit dhe publikimit të lajmeve po përvidhen shumë gabime, sakaq edhe në titujt e lajmeve.

Uroj që të kufizohet me ligj në masë në nevojshme numri i portaleve ekzistuese, sepse kjo gjendje është duke shkaktuar edhe një kaos tjetër informativ. Të ketë përmirësime në rastin e marrjes së lajmeve nga njëri portal në tjetrin pa kërkuar leje apo pa e përmendur burimin, si dhe të rritet numri i lajmeve ekskluzive nëpër secilin portal informativ.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.