Thatësia dhe vala e të nxehtit që ka pushtuar Evropën këtë verë mund të shkaktojë mungesë aq të madhe të patateve sa që të preket edhe prodhimi industrial i ‘pomfritit’, ka paralajmëruar një grup gjerman i industrisë.

Rendimentet e patateve mund të ulen deri në 25 për qind, ka thënë më tej ky grup.

Madje, edhe patatet e mëdha që nevojiten nga prodhuesit e ushqimit për prodhimin e ‘pomfriti’ janë të rralla në këtë kohë.

“Thatësia e vazhduar dhe nxehtësia nënkupton se mbledhja e patates në Gjermani dhe Evropë do të jetë konsiderueshëm më e vogël dhe më e dobët në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë Shoqata Gjermane e Industrisë së Procesimit të Frutave, Perimeve dhe Patates BOGK, raporton Reuters.

“Rezultati mund të sjellë probleme në furnizim për nën-produktet e patates, siç është ‘pomfriti’”, ka thënë më tej ky grup, transmeton Koha.net.

Shiu që i nevojitet aq shumë patates nuk është fare në horizont, dhe, sipas shoqatës, parashikimet po keqësohen vazhdimisht e më shumë.

Thatësia ka shkaktuar edhe dëme tjera të mëdha në drithëra në Gjermani.