Pas reagimit dhe pakënaqësisë së qytetarëve për vendosjen e shtyllave për ndriçim publik në trotuar në rrugën “Birgadat” në Podujevë sot Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka kërkuar nga punë kryerësi që ti zhvendos ato. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Komuna e Podujevës, transmeton Llapi.info.

Në komunikatë thuhet se gjatë inspektimit të punimeve në vendosjen e ndriçimit publik në Rrugën “Brigadat”, Veliu, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, kanë vlerësuar se ky projekt nuk është duke u realizuar sipas rregullave dhe planit urbanistik.

“Me këtë rast është konstatuar se shtyllat e ndriçimit, të vendosura në trotuar, pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve. Prandaj është kërkuar nga kompania punëkryerëse që të bëjë zhvendosjen e shtyllave dhe t’i vendos ato konform rregullave, në mënyrë mundësohet qarkullimi i lirë të këmbësorëve” thuhet në këtë komunikatë.

Përpos kësaj, Komuna e Podujevës ka kërkuar nga KEDS, njësia në Podujevë, që të intervenojë në rrjetin elektrik përgjatë trotuarit, për të mundësuar realizimin e projektit të ndriçimit publik, sipas normave dhe standardeve të parapara.

Ndërsa, Kompania punë kryerëse u zotua se do të bëjë zhvendosjen e shtyllave të ndriçimit publik, kurse KEDS-i do të intervenojë në rrjet në mënyrë që të krijohen kushtet për realizimin e këtij projekti, pa penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ndër të tjera Veliu në këtë komunikatë i falënderon qytetarët për kontributin e dhënë në këtë drejtim, duke thënë se ata janë pjesë e projekteve që realizohen nga Komuna./Llapi.info

Lexo edhe këtë: Qytetarët e Podujevës akuzojnë Veliun për vendosjen e shtyllave ndriçuese (Foto)