Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar në lidhje me punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, transmeton Llapi.info

Veliu Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019 e ka quajtur diskriminim, që sipas tij i bëhet Podujevës nga qeverisja aktuale në punimet e zgjerimit të rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë.

“Bazuar në debatet dhe informacionet për Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019, vërehet qartë diskriminimi i skajshëm që i bëhet Komunës së Podujevës nga qeverisja aktuale e vendit. Për njërin nga projektet më vitale të komunës tonë, që është zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar vetëm 2 milionë euro, para të cilat nuk mjaftojnë as për mbulimin e pagesave të punëve që janë kryer në dy llotet e para. Realizimi i këtij projekti , sipas afatit të planifikuar, do të duhej të ishte prioritet i Qeverisë, për faktin se kjo rrugë lidh Kosovën me Evropën Perëndimore dhe është arteria kryesore që shfrytëzohet nga bashkatdhetarët tanë, gjatë ardhjes në vendlindje”, ka thënë Veliu në një postim në Facebook.

Më tej, Veliu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i jap trajtimin e merituar Komunës së Podujevës.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, që para se ta miratojë Ligjin e buxhetit për vitin 2019, Komunës së Podujevës t’i jap trajtimin e merituar dhe këtë projekt si dhe projekte të tjera me interes për qytetarët t’i trajtojnë konform rëndësisë që kanë”, ka përfunduar Veliu./Llapi.info