Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se deri më tash nuk ka parë ndonjë thirrje të sinqertë nga Vetëvendosje për t’u bashkuar.

Veliu, që udhëheq me Komunën e Podujevës, ka thënë se do të presin rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja, pastaj në parti do të vendosin për rrugën më të mirë për LDK-në.

“Deri tash nuk kam parë ndonjë thirrje të sinqertë nga Vetëvendosje. Ne nuk kemi vendosur ende cila rrugë do të jetë e jona, sepse po i presim rezultatet përfundimtare dhe listën, pastaj do të ulemi do ta bëjmë një vlerësim për rrugën që do ta vazhdojmë, dhe do ta zgjedhim rrugën më të mirë për LDK-në dhe për ata që na e kanë dhënë besimin”, ka thënë Veliu për lajmi.net.

Veliu iu ka bërë thirrje që anëtarët e LDK-së mos të nguten me deklarata të panevojshme, sepse sipas tij, qëndrimi i LDK-së është tashmë i qartë, s’ka koalicion me PDK-në.

“Unë iu kisha bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe LDK-së mos të bëjnë deklarime të panevojshme. Qysh në ditën e parë pas zgjedhjeve ne e kemi dhënë qëndrimin tonë që me PDK-në nuk shkojmë, dhe nuk ka nevojë gjithsecili të del të thotë”, ka thënë Veliu për lajmi.net.

Kujtojmë se Albin Kurti, i mandatari për kryeministër nga VV-ja sot ka ftuar LDK-në që t’iu bashkohet në qeverisje, por njëkohësisht Kurti gjatë ditëve të kaluara ka ironizuar me partinë që po i kërkon koalicion.