Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është nënçmuese, transmeton Llapi.info.

Veliu përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për arritjen e koalicionit nuk janë serioze.

“Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës. E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”, ka shkruar Veliu.

“Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike. Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi. Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, thotë ai./Llapi.info